Në nëntor të vitit të kaluar (2013), në Nju Jork është mbajtur edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Shqiptar apo Albanian Film Week. Java e Filmit Shqiptar është themeluar në vitin 2012 dhe është përkushtuar në shfaqjen e kinematografisë më të mirë shqiptare në Nju Jork. Ky festival mision të vetin ka që përmes filmit, ta ndryshojë mënyrën se si të tjerët e shohin kulturën shqiptare. Për të na treguar më shumë rreth Festivalit, misionit, vizionit, planeve, arritjeve etj, kemi marrë në intervistë bashkëthemeluesen, njëherësh drejtoren Artistike të Festivalet, Mrika Krasniqin.
Znj. Krasniqi, a mund t’i përmendni disa nga filmat tuaj, qoftë ku keni qenë si regjisore qoftë si skenariste?
Po ka një numër të filmave, kryesisht dokumentarë, por kam punuar edhe filma të shkurtë. Do t’i përmend disa: “Ushtari”(2014) – film dokumentar, jam skenariste dhe regjisore. Brenda disa javëve do të shfaqet premiera. Pastaj “Katër Oxhaqe” (2013), “Goli Otoku” (2010), “Fisnikët e Botës” (2009) – dokumentar, Toka e Kelmendit (2008) etj.
Në cilat festivale ndërkombëtare kanë marrë pjesë këta filma?
Kam marrë pjesë, por edhe jam shpërblyer në disa festivale. Ndër më të rëndësishmit është pjesëmarrja po edhe çmimi i fituar në Festivalin e Filmit në Kanë, në vitin 2009. Aty kam fituar çmimin për Dokumentarin më të mirë Social apo Shoqëror. Po i përmend edhe disa të tjerë: “New York Independent Film Festival”, në SHBA (2009), “Los Angeles Film Festival” (2008), “Një Botë” – Festivali për të Drejtat e Njeriut që mbahet këtu në Kosovë (2009) ku kam fituar çmimin e organizatorit, “Venecia Film Festival” (2007), Itali etj.
T’i kthehemi tani Festivalit Shqiptar të Filmit. Themelimi i një festivali shqiptar të filmit në Nju Jork erdhi si nevojë e prezantimit të kulturës shqiptare në botë apo si nevojë e ndryshimit të qasjes së botës mbarë ndaj kulturës shqiptare në përgjithësi?
Fatkeqësisht, problemet ekonomike, sociale, izolimi i qytetarëve shqiptarë nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës po ndikon në krijimin e imazhit negativ në botë. Rastet individuale të sjelljeve të këqija shpejt bëhen publike, derisa ato të mira mbeten nën hije të tyre. Imazhin ndërkombëtar po e prishin edhe problemet me keqqeverisje, korrupsion, tendencat për ta identifikuar Kosovën me krimin e organizuar e të tjera, ndërsa në rrethana të krizës së vazhdueshme mundësitë e infiltrimit të grupeve të organizuara të krimit gjejnë substrat të përshtatshëm. Kjo sigurisht dëmton imazhin e vendit tim, dhe unë si artiste krejt çfarë mund të bëj është që t’i prezantoj vlerat e shtetit tim, i cili së shpejti do t’i mbush 6 vjet. Duhet punuar shumë për ta bërë Kosovën një vend me imazh më pozitiv në botën. Ka edhe njerëz të tjerë që po mundohen ta bëjnë këtë. Ky edhe është misioni i Javës së filmit Shqiptar në Nju Jork.
Kush është apo kush janë financuesit e Festivalit të Filmit Shqiptar?
Kohë më parë përfundoi edicioni i dytë dhe aty është bërë një punë shumë e madhe për organizimin e një jave me filmat e kinematografisë shqiptare në Manhattan. Ndihmë na ka ofruar Konsullata e Kosovës në Nju Jork, Ministria e Diasporës dhe sponsorë të tjerë nga Amerika, por një ngjarje e tillë kërkon përkrahje dhe financim të vazhdueshëm. Shpresoj se do ta arrijmë këtë.
Një pyetje paksa ironike ndoshta, pse u përzgjodh Nju Jorku si vendi i mbajtjes së Festivalit, pse jo Beverly Hills-i?
Aspak ironike….! Përqendrimi i komunitetit shqiptar është më i madh në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, prandaj vendosëm për Nju Jorkun. Kam qenë edhe në Kaliforni, në Beverly Hills, por atje komuniteti shqiptar është më i shpërndarë. Para një viti qëndrova atje për nëntë javë dhe nuk takova asnjë shqiptar, ndërsa në Nju Jork njoh shqiptarë më shumë se sa në Prishtinë… hahaha (buzëqesh). Kjo nuk do të thotë se në të ardhmen ne nuk do të bartemi ndoshta në Boston, Chicago apo në Detroit, edhe atje ka shumë shqiptarë.
Cila është e veçanta e këtij festivali?
Ne po përpiqemi që kjo ngjarje të jetë në shërbim të komunitetit dhe shpresoj të jetë kjo një mundësi e mirë për promovimin e kulturës dhe artit shqiptar në përgjithësi. Gjithashtu ne po synojmë që të arrijmë komunikim më të afërt në mes të artistëve shqiptarë dhe atyre amerikanë. Kjo mbase edhe mund të hapë dyert e bashkëpunimeve apo projekteve të reja në fushën e artit, konkretisht në fushën e kinematografisë. Diçka e tillë nuk është bërë asnjëherë në Amerikë.
A ka natyrë garuese festivali?
Në edicionin e parë të Javës së Filmit Shqiptar, në vitin 2012, për nderë të Ditës së Flamurit janë shfaqur njëqind projekte të kinematografisë shqiptare Festivali kishte karakter promovues. Edicionin e kaluar, 2013, kemi bërë ndryshime duke ndarë tri shpërblime për tre filmat më të mirë të Javës së Filmit. Ishin këto shpërblime që i ndau audienca, nuk kishte një juri që të përcaktonte fituesin. Për edicionin e radhës planifikojmë të kemi edhe risi të tjera.
Në sa apo në çfarë kategori garojnë filmat?
Janë tre kategori në të cilat shfaqen filmat. Janë filmat e metrazhit të gjatë, metrazhit të shkurtër dhe atij dokumentar. Këto janë tre zhanret që ne i kemi shfaqur në dy edicionet e kaluara. Shumë shpejt do të dalim me të rejat për edicionin e radhës.
Cilat janë kushtet për pjesëmarrje në festival?
Gjithë artistët shqiptarë që kanë projektet e tyre filmike të realizuara gjatë dy viteve të fundit, në kategoritë e lartcekura, mund të aplikojnë në kohën të cilën do ta përcaktojë festivali. Sa i përket kritereve për pranim, nuk është e vështirë: projekti duhet të jetë i punuar me standardet aktuale për kinematografi.
Kush ka marrë pjesë në festival deri tani, a kanë qenë vetëm filmat shqiptarë apo edhe filma (pjesëmarrës) të tjerë?
Vetëm filma të kinematografisë shqiptare.
Sa do të ndikojë Festivali në cilësinë e filmave shqiptarë, qoftë dokumentarë, televizivë, apo artistikë?
Çdo ngjarje kulturore që promovon kinematografinë do t’i shërbejë ngritjes së cilësisë së projekteve të ardhshme filmike, qoftë atyre televizive apo dokumentarë. Kur ka konkurrencë të mirëfilltë kjo sigurisht se ndikon pozitivisht, fundja ky edhe është misioni i të gjitha festivaleve; të identifikohen vlerat.
Dhe për fund, cilat janë planet e ardhshme për festivalin në përgjithësi dhe për Mrikën në veçanti?
Shumë shpejt do të dalim me të rejat për festivalin. Ndërsa në planin personal, aktualisht jam në fazën e postproduksionit të dokumentarit tim të ri të titulluar “Soldier” që e kam bërë me gjeneralët e disa prej ushtrive më të fuqishme të botës. Në fillim e përmenda që brenda disa javëve do të shfaqet premiera e këtij dokumentari. Për pak ditë do të udhëtojë në Amerikën Latine për të nisur xhirimet rreth një programi dokumentar mbi ruajtjen e ambientit që udhëhiqet nga disa kompani amerikane dhe nën udhëheqjen e National Geographic. Në muajin prill shpresoj të startoj me një projekt për film të metrazhit të gjatë.
Shpresojmë që nga edicioni i radhës i Javës së Filmit Shqiptar, ndonjë nga filmat fitues të zhvendoset në Los Angjelos dhe presim të kthehet me ndonjë nga çmimet e Akademisë Amerikane të Filmit.
Intervistuesi: Bardhyl BAJRAMI