Menaxhimi i ndërtesave publike në kryeqytet

22 Mars 2017

Mos menaxhimi i banesave kolektive, si pasojë e mos funksionimit të ligjit.
Pastërtia dhe mirëmbajtja e ndërtesave kolektive është pasqyrë e një kulture shoqërore, bashkë veprimit dhe jetës në bashkësi.

Në fillin e ndërtimeve kolektive në Kosovë, përgjatë viteve 1960-1980, ndërmarrja publike banesore BVI ka menaxhuar dhe mirëmbajtur ndërtesat së bashku me Urgensin punë-kryese e BVI-së (Ndërmarrjes Publike Banesore), e cila është marr me rregullimin teknik të banesave, si uji, kanalizimi, rryma, lifti etj. si punë kryes, të cilët i kanë poseduar projektplanet e çdo ndërtese.
Pas luftës së fundit në Kosovë, modeli dhe organizimi shoqëror ka pësuar ndryshim. Si pasojë e tranzicionit, hartimi i ligjeve për mirë funksionim dhe rregull shoqëror është neglizhuar nga autoritetet kosovare. Rrjedhimisht menaxhimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave kolektive tashmë është në mëshirën e vet banorëve.
Banorë të lagjeve si Dardania dhe Ulpiana, tregojnë për mungesën e organizimit dhe mirëmbajtjes së banesave të tyre;
“Nuk kemi kurrfarë menaxhimi të hyrjes, lifti është i prishtë, gjithçka është e lënë pas dore. T’u pas parasysh problemet të cilat I kemi si pasojë e mungesës së menaxhimit. Mendoj se duhet të funksionalizohet prapë BVI-ja (Ndërmarrja Publike Banesore)” thotë Elmi Aliu banor I lagjes Ulpiana ne kryeqytet
Banor i lagjes Dardania, Shukri Abazgjik, “E kemi një pastruese që fshin dy herë në javë, po veç këto, lifti ka dy vjet që nuk punon. Ma shumë s’di çka të them” tregon ai, i cili jeton në lagjen Dardania
Mirëpo, jo të gjitha banesat e kanë këtë problem. Në mungesë të aktiviteteve komunale, banoret detyrohen të organizohen për të krijuar kushte për mirëmbajtjen e ndërtesave të tyre.


“Menaxhimin e banesës tonë e bëjmë vetë. Të gjithë paguajmë një shumë të caktuar mujore për pastrim dhe për çdo prishje eventuale. Është banesë tri katërshe, për atë e kemi pak më lehtë të merremi vesh e ta mirëmbajmë si duhet” tha Kimete Ferati, banore e lagjes Dardania.
Ndërmarrja Publike Banesore si edhe çdo ndërmarrje tjetër publike pas luftës, ka pasur vështirësi të inkasimit. Por, megjithatë ka ekzistuar besimi se me një menaxhim të mirëfilltë do të arrijnë ta stabilizojnë gjendjen. Mirëpo, ishte kërkesa e ndërkombëtarëve që kjo ndërmarrje ta ndalë faturimin, në mënyrë që kompania të mos shkojë në falimentim, për të cilin menaxhmenti nuk beson se do të ndodhë. Ata kanë shpresë se me përkushtimin dhe organizimin e duhur mund të rikthehet mënyra e dikurshme e menaxhimit, në mënyrë që t’i shërbejë qytetarëve për nevojat të cilat i kanë. “Funksionalizimi i këshillave shtëpiak dhe bashkëpunimi me ne, mendoj se do të sjellë një mirëmbajtje më në nivel dhe do të ishte diçka që do t’i ndihmonte atyre qytetarëve me problemet që ballafaqohen ata shumë shpesh, sidomos me ujë, kanalizim mbyllje, por edhe me defekte të tjera.”, u shpreh Hajrush Bajraliu nga NPB.

Më parë, secila bashkësi lokale ka pas për obligim t’i ketë këshillat banesorë si dhe nën këshillat të cilët kanë përfaqësuar ndërtesën.
Ndërsa kryetari i Bashkësisë së tretë Lokale në Prishtinë, Safet Kamberaj, bëri të ditur se në lagjen Dardania këto këshilla dhe nën këshilla tashmë janë zgjedh.
“Mirëpo jo çdo hyrje e ka funksional në plotësi këtë këshill, ndërsa ne nuk e kemi autoritetin e duhur që në rast të mos funksionimit të marrim masa të çfarëdo lloji. Prandaj në mungesë të ligjit për kryeqytetin, të gjitha këto probleme mbeten pa u rregulluar. “ tha Safet Kamberaj
Ligji për ndërtesat e banimit në bashkëpronësi, i aprovuar në vitin 2009, në Parlamentin e Kosovës, përveç që nuk po implementohet, ka edhe mangësi të cilat duhet të plotësohen, në veçanti për mirëmbajtje.

Arbnor Dragaj

Share: