Në vend të Editorialit

6 Dhjetor 2016

Konferenca shkencore ndërkombëtare e organizuar nga Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit i Universitetit të Tiranës, Ecole Supérieure de Journalisme – Paris, shkolla më e vjetër e gazetarisë në botë dhe, IPAG Business School e Parisit, zhvilloi punimet më 29 dhe 30 maj të vitit 2015, në Kolegjin AAB në Prishtinë. 

Kjo konferencë kishte për qëllim që të bëjë bashkë studiuesit e komunikimit masiv dhe mediave nga viset mbarëshqiptare dhe më gjerë; për të prezantuar gjetjet e kërkimeve të tyre mediatike; të shtojë diskutimet për sfidat dhe dinamikat e tregut mediatik; të shkëmbejë përvoja, ide dhe të diskutojë për çështje të tjera relevante profesionale, duke i parë ato nga perspektiva holistike.

Shqetësimet kulturore, ndëretnike, financiare, mjedisore, ekonomike, sociale, transformimet dhe mediat online, gjithashtu paraqesin çështje relevante te të cilat u fokusua kjo konferencë.

Konferenca kishte ngritur të paktën tri pyetje kryesore kërkimore:

– Cili është roli i identiteteve kombëtare, sociale, etnike e kulturore në funksionimin e mediave?

– Cila është lidhja e mediave masive me kulturën kombëtare?

– Si ndërveprojnë informacionet lokale/globale në audiencën mbarëshqiptare?

Për këtë qëllim, ky numër i revistës kërkimore shkencore Thesis, është numër tematik në të cilin janë përfshirë disa punime nga kjo konferencë. Në këtë konferencë janë prezantuar 45 kumtesa, por në revistë nuk janë përfshirë të gjitha prej tyre, për arsye se disa punime përfundimtare nuk kaluan recensionin e dyfishtë, ndërsa disa të tjerë nuk i kanë dërguar punimet e tyre.

 

Masar Stavileci, kryeredaktor
Hasan Saliu, zv/kryeredaktor

Share: