Vendimmarrja e grave në Prizren

23 Mars 2017

Procesi i përfshirjes së gruas në procesin e vendimmarrjes, shihet si një shqetësim për gratë përfaqësuese të institucioneve në Komunën e Prizrenit.

Kjo për faktin sepse gratë në këtë komunë, që është e dyta pas Prishtinës për nga numri i banorëve, përfaqësohen dobët në qeverisjen lokale.

Sipas Kryetares së Grupit të Grave në Kuvendin e Prizrenit Ajshe Shala vetëm një femër udhëheq me një drejtori komunale në Komunën e Prizrenit e ajo drejtori është Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Ajo thekson se mos përfaqësimi i grave në organet më të larta vendimmarrëse është një shprehi e vjetër që po vazhdon në këtë komunë.

Nga ana tjetër, përgjegjësja e Zyrës për Barazi Gjinore në Prizren, Mybexhele Zhuri,thekson se zyra të cilën e udhëheqë është e përqendruar në vetëdijesimin e gruas në shoqërinë tonë për ndryshimin e gjendjes aktuale në të cilën ndodhet ajo.

Ndërkaq njëra ndër asamblistët komunale që vlerësohet si më aktive në organin më të lartë legjislativ në Prizren , Drita Millaku, nga radhët e VV-së, tha se femra në Prizren nuk ka përkrahje nga gjinia e kundërt për shqetësimet e tyre, madje në disa raste ballafaqohen me fyerje.

Ajo tha se gratë që përfaqësojnë partitë politike në Kuvendin e Prizrenit janë unike,dhe për këtë gjë tha ajo më së miri jam bindur për mbështetjen që më është dhënë mua pas fyerjeve që kam pësuar nga drejtori i shërbimeve publike.

Elmedina Baxhaku nga Organizata Jo Qeveritare “Ec ma ndryshe”, thotë gjithashtu se fuqizimi i rolit të femrës në shoqërinë tonë mbetet sfidë sidomos për institucionet.

Ajo thekson se të gjithë ne duhet të bëjmë shumë më tepër për aktivizimin në drejtim të përmbushjes së përgjegjësive në rolin e ngritjes së gruas në proceset vendimmarrës edhe në jetën publike.

Përveç fuqizimit të rolit të gruas dhe përfshirjes së grave në proceset e vendimmarrjes, përfaqësueset e këtyre institucioneve kërkojnë më shumë mbështetje edhe për personat me nevoja të veçanta.
Valentina Gashi

Share: