Edhe një Doktor Shkencash në radhët e profesorëve në Kolegjin AAB

Uranela Demaj, prodekane në Fakultetin e Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB, mbrojti doktoratën në Universitetin e Ghent-it në Belgjikë, me titull: “Gjuha, identiteti etnik dhe konflikti në panoramat historike dhe urbanistike gjuhësore në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë”.

Universiteti i Ghent-it ranguar i 66-ti sipas listës së Shangait, zë një pozitë në 100 universitetet më të mira në botë.

Disertacioni i doktoratës së Dr.Uranela Demaj është një studim unik sociolinguistik mbi konfliktin gjuhësor midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë përmes perspektivës së proceseve etno-nacionaliste të ndërtimit të identitetit pas shpërbërjes së Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë. Marrëdhëniet shqiptaro – serbe karakterizohen tradicionalisht nga mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi identitetin etnik të Kosovës. Këto divergjenca ndëretnike nuk janë lëvruar më herët në një studim nga fusha e sociolinguistikës në perspektivën e panoramës gjuhësore. Për këtë arsye, ky studim është një shqyrtim unik i marrëdhënieve historike midis shfaqjes sociale të gjuhës në mjediset publike urbane të Kosovës.

Studimi u mbikëqyr shkencërisht nga dy mentorë më emër në fushën e sociolonguistikës, Prof. dr. Stef Slembrouck and Dr. Mieke Vandenbroucke. Një ndër anëtarët e komisionit vlerësues, historiani i njohur për Ballkanin, Prof. Emeritus Raymond Detrez, u shpreh se disertationi i Demajt paraqet një reflektim kritik të ideologjive gjuhësore në marrëdhëniet e komplikuara shqiptaro-serbe në Kosovë. Gjithashtu, sociolinguisti Prof. dr. Sebastian Muth nga Universiteti i Lancaster-it e vlerësoi këtë studim si “Një burim të vyer dhe një material referimi kyç për sociolinguistët, sociologët dhe antropologët e gjuhësisë të cilët kanë interes në mënyrat se si gjuha dhe simbolet urbanistike luajnë rol në ndërtimin diskursiv të kombit dhe identitetit kombëtar në vendet e ish- Jugosllavisë.  

Punimin e plotë mund ta gjeni në këtë link:

http://bit.ly/30l2cae

INSTITUTI AAB
APLIKO