Në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian, Lëvizja e lirë e mallrave, studentët e Fakultetit Ekonomik, patën mundësinë të informohen më shumë nga udhëheqësi i këtij projekti, z.Henk de Pauw.
Ligjërata e mbajtur sot, trajtoi temën e mbrojtjes së konsumatorit (Consumer Protection), ku u shtjelluan detajisht format e keqpërdorimit që u bëhen konsumatorëve dhe mënyra e luftimit të tyre. Në ligjëratë u fol për aspektin ligjor të mbrojtjes së konsumatorit e deri tek mbyllja e institucioneve që nuk veprojnë konform neneve të cekura në këtë ligj.
Eksperti i lartë i shkencave juridike, Henk de Pauw foli për të drejtat që secili konsumator ka sipas ligjit, duke krahasuar funksionimin e këtij ligji në shtetet anëtare të BE-së dhe Kosovë, me fokus në aspektin e kredive dhe blerjeve online.
“Ligji i konsumatorëve i cili vepron në Kosovë përmban tetë deri në dhjetë direktiva të BE-së, ku përfshihen edhe kreditë. Ky ligj mbron të gjithë ata që në një formë apo tjetër mashtrohen me apo pa vetëdije nga një institucion që vepron kundër interesave të tyre. Ajo çfarë ne nuk lejojmë është mënyra e rrejshme që institucionet përdorin në bindjen tuaj për të marrë kredi. Në vendet e Evropës kreditë mund të merren edhe online, derisa në Kosovë kam vërejtur se kjo formë e kredisë apo e blerjeve online nuk është shumë aktuale”, theksoi de Pauw.
Ai tregoi edhe për dallimin mes mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisë së produkteve: “Dua t’ ju rikujtoj në mënyrë që të mos ngatërroni konceptin e mbrojtjes së konsumatorit me sigurinë e produkteve. E para ka të bëjë me marrëdhënien kontraktive mes blerësit dhe tregtarit, ndërsa e dyta me pjesën fizike që do të thotë sigurimin fizik të produktit”.
Gjatë kësaj ligjërate, studentët e nivelit bachelor dhe master nga Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB, patën rastin të debatojnë dhe të bëjnë pyetje për fushën të cilën studiojnë.
Ligji për mbrojtje të konsumatorit në Kosovë ka hyrë në fuqi në vitin 2018 dhe si i tillë mund të veprojë mbi institucionet të cilat nuk punojnë në përputhshmëria me të.