Në prag të shënimit të 21 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, organizuar nga Fakulteti i Psikologjisë, në Kolegjin AAB u mbajt një tryezë diskutimi për këtë temë.
Për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale, në ‘Ditën Ndërkombëtare e Sindromës Down’ me 21 mars, organizata ‘Down Syndrome Kosova’, do mbajë marsh protestues me moton “Kosovë Më Mbështet, Fuqizo Të Drejtën Time”.
Këtë e konfirmoi drejtoresha e kësaj organizate Sebahate Beqiri, në një tryezë me studentët e Kolegjit AAB, e cila u mbajt për nder të ‘Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down’.
“Që nga themelimi ne kemi promovuar potencialin e personave me sindromën Down, mirëpo për të zhvilluar potencialin e tyre kanë nevojë për mbështetje profesionale. Fatkeqësisht kjo mbështetje mungon nga institucionet. Duke parë këto nevoja, ne kemi vendosur që me 21 mars të kemi marshin protestues me moton “Kosovë Më Mbështet, Fuqizo të Drejtën Time”, tha zonja Beqiri.
Ndërkaq, dekanja e Fakultetit të Psikologjisë, Mimoza Kamberi, e cila edhe e hapi këtë tryezë, në fjalën e saj tha se, Kolegji AAB vite me radhë ka shprehur gatishmërinë dhe përkrahjen për fëmijët të prekur me këtë sindromë. “Kolegji AAB vite me radhë ka shprehur gatishmërinë në përkrahjen e iniciativave të marra qoftë nga vet studentët apo edhe përmes aktiviteteve të përbashkëta me organizatën ‘Down Syndrome Kosova’, me synim të rritjes së vetëdijesimit se njerëzit e prekur me ‘Down Syndrome’ janë të barabartë me të tjerët”, u shpreh ajo.
Fjalën në këtë tryezë e morën edhe profesori dhe psikologu, Naim Telaku, si dhe psikologja Ermira Shabani, të cilët folën për avancimin mjekësisë për trajtimin e personave të prekur me sindromën Down, poashtu edhe për pranimin e këtyre rasteve në shoqëri, ndërsa në këtë tryezë mori pjesë edhe znj.Drita Meta, nënë e një fëmije që bartë këtë syindrom, e cila foli për përvojat dhe sfidat e saj.
Në fund të kësaj tryeze, studentët e Kolegjit AAB patën rastin që të diskutojnë dhe të bëjnë pyetje, të cilave iu përgjigjen panelistët.