Fakulteti Juridik i AAB-së do të hulumtojë sfidat e sigurisë së mërgimtarëve kosovarë

20 Prill 2016

Përkrahur nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, studentët dhe stafi akademik i Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, do të zhvillojnë projektin hulumtues “Mërgimtarët dhe sfidat e sigurisë”.

Kjo u bë e ditur me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse në mes të përfaqësuesve të institucioneve respektive, Fakultetit Juridik dhe Ministrisë së Diasporës. Projekti synon identifikimin e sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohen mërgimtarët tonë gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Kosovë duke u përpjekur të identifikohen edhe masat që duhen ndërmarrë për zbutjen e këtyre sfidave.

Gjatë implementimit të projektit studentët do të kenë mundësi t’i zbatojnë metodat e ndryshme të hulumtimit shkencor (analitike, cilësore, sasiore, krahasuese) e të cilat do të ndikojnë thellësisht në përgatitjen e tyre profesionale. 

Projekti hulumtues “Mërgimtarët dhe sfidat e sigurisë” i Qendrës për Studime Juridike, Kriminalistike dhe të Sigurisë në kuadër të Kolegjit AAB, do të realizohet në partneritet edhe me Asociacionin Kriminologëve dhe Kriminalistëve të Kosovës (ASKK).

Në projekt do të angazhohen katër mësimdhënës dhe 90 studentë të Fakultetit Juridik nga Kampusi i Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës. Projekti fillon së zbatuari nga muaji maj dhe do të mbarojë në shtator të vitit 2016.

Share: