Në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi dhe angazhimit për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Dr. Sc. Blerim Olluri, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Rektorin e Haliç University, Prof. Dr. Enes Eryarsoy.
Në takim morën pjesë edhe zëvendësrektorët e Haliç University, Prof. Dr. Öykü İyigün, Drejtori i Programit Erasmus, Dr. Öğr. Üyesi Serhat Orakçı, si dhe Drejtoresha e Zyrës Ndërkombëtare, Elif H. Kubilay. Rektori Olluri shoqërohej nga Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim, Prof. Venera Llunji, si dhe Prof. Ass. Dr. Engin Melekoglu.
Gjatë takimit, palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus në zgjerimin e shkëmbimeve akademike përmes programit Erasmus+, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe rritjen e bashkëpunimit në kërkimin shkencor.
Rektori Olluri prezantoi para homologut të tij zhvillimin e vazhdueshëm dhe fuqizimin e Kolegjit AAB në fusha të ndryshme akademike, duke theksuar avancimin e programeve të studimit, rritjen e kapaciteteve në projekte kërkimore dhe sukseset e arritura në procesin e ndërkombëtarizimit. Ai veçoi bashkëpunimin e ngushtë me universitete ndërkombëtare si një faktor kyç në ngritjen e cilësisë akademike dhe zgjerimin e mundësive për studentët dhe stafin.
Nga ana tjetër, Rektori Prof. Dr. Enes Eryarsoy prezantoi profilin dhe zhvillimin e Haliç University, një institucion që aktualisht numëron mbi 17,000 studentë dhe ofron programe në tetë fakultete, shkollë profesionale, konservator dhe institut të studimeve pasuniversitare. Ai theksoi rëndësinë e qasjes ndërdisiplinore dhe përputhjes së programeve akademike me nevojat e shoqërisë dhe tregut.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin përmes projekteve të përbashkëta, publikimeve shkencore, organizimit të konferencave dhe aktiviteteve akademike, si dhe zhvillimit të iniciativave që përfshijnë fusha me interes të përbashkët.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare dhe forcimit të rolit të të dy institucioneve në arenën globale të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.
