Gentiana Uruqi pranoi detyrën e saj si Kryetare e Unionit të Studentëve të AAB-së

26 Shkurt 2020

Sot në Kolegjin AAB u mbajt ceremonia e inaugurimit të përbërjes së re të Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB, me ç’ rast u bë edhe dorëzim-pranimi i detyrës së kryetares së Unionit. Kryetarja e deritanishme e US AAB, Flaka Vitaku ia dorëzoi detyrën kryetares së re të zgjedhur gjatë një procesi transparent të votimit, Gentiana Uruqi. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha dhe prorektorët Shemsedin Vehapi e Venera Llunji.
Me këtë rast, rektori Bujar Demjaha, duke uruar anëtarët e rinj të Unionit, u tha atyre se ata do të jenë urë lidhëse në mes menaxhmentit dhe studentëve dhe se gjithnjë do ta kenë derën hapur në Kolegjin AAB. Ndërsa, prorektori Shemsedin Vehapi, duke folur për rëndësinë që ka Unioni i Studentëve, në mes tjerash u tha studentëve se ju mund ta ndihmoni AAB-në që nesër të bëhet më e mirë se ç’ është sot.

Prorektorja Venera Llunji, përveç që falënderoi për kontributin e dhënë Unionin e kaluar, u tha të posazgjedhurve se Rektoratin dhe menaxhmentin e Kolegjit AAB duhet ta konsiderojnë si mbështetje dhe përkrahje të parevokueshme. Në fjalën e saj, kryetarja e deritanishme Flaka Vitaku, duke falënderuar Kolegjin AAB për përkrahjen e vazhdueshme, ua rikujtoi pasuesve të saj se është bindur që AAB në krye e ka studentin dhe pastaj të tjerët, andaj duhet të jenë të lumtur që kanë këtë privilegj të jenë pjesë e këtij institucioni.

Nga ana tjetër, kryetarja e re, Gentiana Uruqi, studente e Administratës Publike, u shpreh se do vazhdojë të gjitha aktivitetet dhe synimet që ka Unioni i Studentëve duke i adresuar kërkesat dhe qëllimet, duke përfaqësuar kështu denjësisht të gjithë studentët.
Përbërja e re të Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB, numëron 20 anëtarë nga të tre degët e AAB-së, Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë.

Share: