Klubi i Debatit të Gjuhës Angleze debatoi nëse duhet që vaksinimi i qytetarëve të jetë obligativ

13 Nëntor 2021

Klubi i Debatit i Fakultetit të Gjuhës Angleze ka mbajtur seancën e parë debatuese për këtë vit të ri akademik, aktivitete këto që tashmë janë shndërruar në traditë, në kuadër të këtij fakulteti.

Tema të cilën studentët trajtuan ishte “A duhet që vaksinimi i qytetarëve të jetë i obliguar me ligj?”. Debati u moderua nga koordinatorja e klubit, Artiola Kajtazi, e cila theksoi se me këtë debat janë përmbushur disa nga qëllimet kryesore të klubit, përkatësisht përfshirja e studentëve nga të gjitha vitet akademike të fakultetit, rritja e numrit të të interesuarve si edhe rritja e aftësive debatuese dhe konsolidimi i kulturës së debatit.

Në cilësinë e jurisë në këtë seancë ishin profesorët Aida Alla, Marika Butskhrikidze, Mirvan Xhemajli dhe Gresa Shaqiri.
Problematikat të cilat u diskutuan në këtë debat ishin: A po dëmtohet siguria publike nga personat që nuk dëshirojnë të vaksinohen? A është vaksinimi i obliguar me ligj shkelje e të drejtave të njeriut? A është rrezikimi i sigurisë së qytetarëve nga zgjedhjet individuale shkelje e ligjit dhe e të drejtave të njeriut? A ndikon pozitivisht apo negativisht vaksinimi i obliguar në shoqëri? Pse disa persona refuzojnë të vaksinohen? Debati zgjati 90 minuta dhe u vëzhgua me kujdes nga profesorët.

Juria shpalli fitues skuadrën afirmative si dhe iu dha studentëve këshilla se si ata të përmirësojnë aftësitë e tyre debatuese.

Share: