Kolegji AAB i dha Majlinda Kelmendit Çmimin Ndërkombëtar për Arritje në Sport

3 Tetor 2014

Në një ceremoni solemne, Kolegji AAB i dha Çmimin Ndërkombëtarë për Arritje të Lartë në Sport, kampiones së Evropës dhe Botës në xhudo, Majlinda Kelmendit. Ky çmim ju jepet sportistëve të shquar për arritje të lartë në sport dhe që kanë fituar në gara ndërkombëtare.

Me këtë rast, Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, duke ju uruar mirëseardhje të pranishmëve në këtë ceremoni solemne të dhënies së këtij çmimi, tha se Kolegji AAB pos çmimit për të Arriturat në Sport të cilin ia ndanë sot kampiones së Botës në xhudo, Majlinda Kelmendit, AAB ka të themeluara edhe katër Çmime Ndërkombëtare të fushave të ndryshme si Çmimin për të Arritura Shkencore, Çmimin për të Drejtat e Njeriut, Çmimin për Arte dhe Letërsi dhe Çmimin për Demokraci e Integrim.

” Kësaj radhe komisioni vlerësues nuk e ka pasur të vështirë vendimin, ngase fituesin i sivjetmë të çmimit të AAB-së për Arritje të Lartë në fushën e sporteve, nuk kemi pasur nevojë që ta kërkojmë as në botë, as në Evropë, as në rajon, sepse e kemi gjetur këtu në Kosovë. Madje për ne si universitet ka ndodhur mrekullia sepse e kemi gjetur në mesin tonë, studenten e zellshme të Fakultetit të Sporteve, kampionen e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi”, tha rektori Tafa.

Ai tha se në këto 14 vite të funksionimit të Kolegjit AAB, kanë dalë shumë studentë të vyeshëm e profesionist të fushave të ndryshme që me kompetencë e profesionalizëm po veprojnë suksesshëm në tregun e punës. “Shumë vite me radhë vajzat e AAB-së na stolisin me kupën e kampionit të Kosovës në Volejboll. Kemi edhe kampione në fusha e disiplina të ndryshme, por suksesi me i madh i AAB-së dhe i Kosovës, është Majlinda që shquhet edhe si studente edhe si sportiste”, u shpreh Rektori Tafa.

Ndërkaq, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili uroi Majlinda Kelmendin për këtë çmim, duke shtuar se sportistët e Kosovës do të marrin pjesë në lojërat Olimpike që do të mbahen në Rio De Zhaniero. Driton Kukaj, trajneri i kampiones së botës, Majlinda Kelmendi, tha se krahas mbështetjes institucionale dhe fitores së titullit të botës në xhudo, për atë ka ndodhur edhe një ngjarje shumë e veçantë pas takimit me drejtuesit e Kolegjit AAB.

Ndërkaq, lauratja e Çmimit Ndërkombëtarë për Arritje të Lartë në Sport, Majlinda Kelmendi, falënderoi Kolegjin AAB për këtë çmim duke thënë se ndihet e privilegjuar pasi që më parë çmim të këtij rangu ka marrë edhe shkrimtari i mirënjohur shqiptarë, Ismail Kadare, në këtë universitet.

“Është një nder për mua të jem pjesë e Kolegjit AAB, universitetit më të mirë në rajon. Ju falënderoj shumë që më keni dhënë mundësi që dijen time që e kam në aspektin sportiv ta tregoj në një institucion arsimor, e sidomos në Kolegjin AAB, që me plot kuptimin e fjalës është universiteti më i mir në rajon”, u shpreh kamionja e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi.

Në fund, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, i dhuroi asaj Çmimin ndërkombëtarë për Arritje të Lartë në Sport, ndërsa kampionia e botës i dhuroi rektorit Tafa medaljen e artë të Kampionatit Botëror.

Rektori Tafa me rastin e pranimit të dhuratës nga kampionja tha se është një emocion i papërshkruar sepse janë të rralla ato universitete në botë dhe të rrallë ata rektorë që kanë fatin dhe mundësinë që prej studentëve të tyre të marrin medaljen e artë të fituar në një kampionat botëror.

 

Majlinda Kelmendi lindi më 9 maj 1991 në Pejë, është xhudiste shqiptare.

Të arrituarat e Majlida Kelemdit
Majlinda Kelmendi, është e radhitur e para në listën botërore të xhudistëve të dy gjinive për vitin 2014, me gjithsej ( 3750). Në faqen zyrtare të kësaj federate janë të rendituara 56 triumfe të sajë në gara të nivelit ndërkombëtar ku Majlinda është radhitur në mesin e Xhudistëve më të mirë të botës duke filluar nga viti 2006. Sukseset kulmore të Majlindës janë:
Dy herë kampione Botërore në Kategorinë e Senjorëve
2013 – në Rio de Janeiro
2014 – në Rusi
Dhe një herë kampione e Botës në Kategorinë e Juniorëve
2009- Paris
Dy herë Kampione Evropiane për kategorinë e Senjorëve
2012 – në Pragë
2013 – në Montpellier
Dy herë kampione e Evropës në kategorinë e Juniorëve
2009- Yerevan
2010- Samokov

Share: