Fakulteti i Komunikimit Masiv në bashkëpunim me Fondacionin Jahjaga kanë organizuar ligjëratë me temën “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, ku morën pjesë edhe studentët e Fakultetit të Psikologjisë.
Vitet e fundit gjuha e urrejtjes është përhapur gjithnjë e më shumë përmes mediave të paverifikuara dhe internetit, duke nxitur e shkaktuar dhunë sidomos ndër të rinjtë.
Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes në internet janë sfida reale dhe shumë specifike, pasi që këto mesazhe mund të shpërndahen me një shpejtësi të madhe në shumë grupe virtuale dhe të kenë ndikim me rezultate të paparashikuara.
Gjuha e urrejtjes dhe mesazhet që nxisin dhunë denigrojnë një apo më shumë persona në bazë të përkatësisë në një grup shoqëror, të identifikuar nga atribute të tilla si raca, përkatësia etnike, gjinia, orientimi seksual, feja, mosha, paaftësia fizike ose mendore, etj.