Kolegji AAB dhe Klan Kosova me aktivitete të përbashkëta në dobi të mjedisit mediatik në Kosovë

23 Shtator 2021

Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegji AAB dhe Televizioni Klan Kosova (Klan Kosova), do të bashkërendojnë disa aktivitete të cilat kanë për qëllim të kontribuojnë në ngritjen e mëtejme të profesionalizmit të gazetarisë dhe studimeve mediatike në Kosovë.

Kjo do të realizohet në sajë të një marrëveshjeje bashkëpunimi e cila u nënshkrua sot nga dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv të AAB-së, Prof. Asst. Dr. Hasan Saliu dhe, drejtorit të Televizionit Klan Kosova, MA. Adriatik Kelmendi.

Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje u tha se bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve të gazetarisë nga njëra anë dhe, studiuesve të mediave e komunikimit nga ana tjetër, është në interes të të dyja palëve si dhe në interes të mjedisit mediatik kosovar në përgjithësi.

Sipas kësaj marrëveshjeje, palët pajtohen të bashkërendojnë aktivitetet të cilat rrisin edhe më tej standardet e gazetarisë profesioniste, aftësojnë studentët dhe ndikojnë pozitivisht në informimin objektiv në Kosovë.

Këto do të mund të realizohen nëpërmjet organizimit të simpoziumeve, konferencave, trajnimit dhe profesionalizmit të mëtejmë të gazetarëve, mundësisë më të madhe për praktikës profesionale për studentët e gazetarisë, ligjërata me interes të ndërsjellë si dhe aktivitete të tjera të përbashkëta me qëllim dobiprurës për mediat dhe studimet mediatike në Kosovë.

Marrëveshja përfshin gjithashtu edhe bashkëpunimin mes gazetarisë profesioniste të Klan Kosovës me studiuesit mediatikë të Kolegjit AAB si dhe praktikës profesionale të studentëve të AAB-së në Klan Kosova.

Share: