Me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe në të mirë të të dy institucioneve dhe në shërbim të studentëve të këtij rajoni, Kolegji AAB ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Gjilanit.
Kjo marrëveshje përfshinë: promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta, kryerjen e punës praktike për studentët e Kolegjit AAB në institucionet/departamentet, drejtoritë, agjencitë, institucionet shkollore dhe parashkollore të Komunës së Gjilanit e vizita të ndërsjella të të dy institucioneve. Kolegji AAB me këtë marrëveshje, do të ofrojë bursa të plota për nxënësit më të mirë Komunës së Gjilanit, në cilindo nga programet e studimit, si dhe pika të tjera që janë në interesin e përbashkët ndërinstitucional.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa komuna si dhe shumë institucione e organizata të tjera vendore e ndërkombëtare, ku studentët e këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.