Në Rektoratin e Kolegjit AAB, sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”.
Kjo marrëveshje përmes së cilës synohet thellimi i bashkëpunimit në fushën profesionale, arsimore e shkencore u nënshkrua nga Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kolegin AAB, prof.ass.dr. Venera Llunji dhe Rektori i Universitetit “Fehmi Agani”, prof.ass.dr. Artan Nimani.
Me këtë rast, prorektorja Llunji u shpreh e kënaqur për mundësinë e bashkëpunimit me Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.
“Presim rezultate konkrete nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona, kapacitetet e të cilave do të jenë në shërbim të stafit akademik dhe studentëve tanë”, tha ajo.
Nga ana tjetër, rektori Nimani shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm dhe do të prodhojë rezultat të prekshëm, që shtrihet në fushën e arsimit të lartë, hulumtimit dhe zhvillimit, aktiviteteve studentore dhe programeve relevante për komunitetin.
Përmes marrëveshjes së nënshkruar sot, pritet të krijohet partneritet në mes të palëve në fushën profesionale, arsimore dhe shkencore që përfshinë të gjitha programet e studimit të organizuara nga palët nënshkruese.
Marrëveshja konsiston në bashkëpunimin profesional mes stafit akademik dhe administrativ, bashkëpunimin e studentëve të cikleve të ndryshme të studimit për periudha semestrale studimi ose për periudha të praktikave, aktivitete dhe publikime të përbashkëta në kërkim shkencor etj..