Në mënyrë që të zgjerohet bashkëpunimi ekzistues arsimor, shkencor dhe kulturor, Kolegji AAB dhe Kolegji Universitar “Pavarësia Vlorë”, sot nënshkruan memorandum për bashkëpunim në rrjetin e Bibliotekave.
Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e bënë z. Urim Sallauka, drejtor i Bibliotekës Universitare të Kolegjit AAB dhe Dr. Engjëllushe Zenelaj, drejtoreshë e Qendres Kërkimore Shkencore të Universitetit “Pavarësia Vlorë”.
Fushat e veçanta të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve përfshijnë rrjetin e bibliotekave, si: bashkëpunimin ndërmjet stafit të bibliotekave, shkëmbime botimesh të ndërsjellta, dhënie aksesi për përdorimin online të bibliotekave elektronike, përdorimin online nga ana e studentëve, studiuesve shkencorë dhe pedagogëve në bibliotekat elektronike.
Vlen të theksohet se para pak muajve Biblioteka e Kolegjit AAB ka nënshkruar edhe një marrëveshje dhe ka bërë parapagim për shfrytëzimin e revistave dhe artikujve në JSTOR për vitin 2018 për të gjithë përdoruesit dhe hulumtuesit shkencorë të Kolegjit AAB.