Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, bashkëbisedoi me studentët e AAB-së në Ferizaj për qeverisjen lokale, sfidat dhe mundësitë

3 Maj 2018

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ishte i ftuari i radhës në kuadër të serisë së debateve për qeverisjen lokale të organizuar nga Kolegji AAB. Nikoqirë të kryetarit Haliti, ishin studentët dhe stafi akademik i Kolegjit AAB, dega në Ferizaj.

Me këtë rast, Prorektori për Çështje Akademike i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij tha se këto ligjërata me kryetarë komunash kanë një rëndësi të veçantë për studentët, të cilët do të kenë mundësinë të dinë më shumë për qeverisjen lokale, në këtë rast për qeverisjen në komunën e Vitisë.

Ndërsa, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, duke folur për të arriturat e tij gjatë qeverisjes në mandatin e kaluar por edhe në këtë mandat, tha se Vitia, për katër vite ka qenë top komunë për sa i përket realizimit të kompetencave të veta me rregullaritet të plotë.

“Kemi punuar me ligjshmëri të plotë dhe asnjë vendim për katër vite që qeveria komunale ka propozuar, nuk është kthyer prapa. Ministria e Pushtetit Lokal dhe Raporti i Progresit e ka vlerësuar këtë gjë”, theksoi ai.

Kryetari Haliti në këtë ligjëratë foli edhe për buxhetin e komunës, për të cilin tha se në të kaluarën ka qenë shumë deficitar, mirëpo theksoi ai, në vitet 2015-2016 është kthyer në nivelin zero dhe tani vazhdon me pozitivitet.

Sa i përket zhvillimit të biznesit, ai tha se në katër vitet e kaluara, Vitia është shquar edhe me rritjen e bizneseve të regjistruara dhe mos shuarjen e asnjë biznesi, qoftë ndërmarrje të vogla apo të mesme. “Janë 1423 biznese të reja, si të vogla ashtu dhe të mesme. Kjo ka bërë vërtetë që numri i të punësuarve dhe bizneseve të rritet jashtëzakonisht shumë”, tha Haliti.

Haliti vlerësoi si të arritur tjetër të madhe në komunën e Vitisë, rritjen e themelimit të shoqatave të grave. “12 shoqata të grave janë storje suksesi në Viti, që kanë filluar të punojnë edhe falë bashkëpunimit që kemi me organizata ndërkombëtare. Vitia është komuna e vetme në Kosovë që të gjitha organizatat ndërkombëtare, qeveritare dhe jo qeveritare kanë memorandum bashkëpunimi”, shtoi kryetari Haliti.

Në këtë ligjëratë, ai foli edhe për sfidat me të cilat përballet komuna e Vitisë, ku disa nga ato sfida janë se ndonjëherë kanë mos harmonizime në punë, pengesat në zbatim të projekteve, mungesa e financave, etj.

Në këtë debat, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm i studentëve të AAB-së të cilët vijnë nga Komuna e Vitisë, pati edhe shumë pyetje dhe bashkëbisedim me kryetarin për projektet dhe mundësitë e reja për ta.

Share: