Laboratori i Psikologjisë Klinike në AAB, i vetmi në Kosovë, do të mbajë emrin e akademikut “Pajazit Nushi”

13 Tetor 2020

Në kuadër të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, sot në Kolegjin AAB u inaugurua Laboratori i Psikologjisë Klinike. Ky laborator i cili është i pari dhe i vetmi i tillë në Kosovë, do t’ u shërbejë studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Psikologjisë për të konkretizuar pjesën teorike përmes seancave të simuluara terapeutike.

Në ceremoninë e inaugurimit të Laboratorit të Psikologjisë Klinike, rektori i Kolegit AAB, Bujar Demjaha tha se ky laborator do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për Kolegjin AAB, por për tërë shoqërinë kosovare.
“Kjo është ditë e veçantë mu për shkak se po themelohet edhe një laborator tjetër krahas laboratorëve të shumë, i cili është shumë specifik dhe është shumë i rëndësishëm jo vetëm për Kolegjin AAB, por edhe për shoqërinë kosovare.

Këtë moment e bën të rëndësishëm edhe emërtimi i këtij laboratori, emërtimi sipas akademikut e profesorit Pajazit Nushi, për çka i falënderoj familjarët e tij që kanë pranuar këtë propozim. Ju uroj suksese të gjithëve, studentëve, stafit akademik dhe rezultate të larta në punën që do të bëhet këtu”, tha rektori Demjaha.

Ndërsa dekani Naim Telaku, në fjalën e tij tha se jemi munduar që krahas punës akademike dhe formave të tjera, të japim kontributin edhe në zhvillimin e shkencës.

“Laboratori të cilin po e përurojmë sot ka për qëllim që puna akademike që zhvillohet në ligjërata të shndërrohet në dimension praktik. Laboratori ka dhomën e simulimeve ku do të bëhen seancat terapeutike, ndërsa ka edhe pjesën tjetër ku do të qëndrojnë studentët dhe do të vrojtojnë seancat”, tha Telaku.

Ai shtoi se ky laborator përpos rëndësisë për zhvillimin e psikologjisë dhe shkencës në përgjithësi jo vetëm në Kolegjin AAB por edhe në Kosovë, është i veçantë për emrin që bart ai, emrin e profesorit Pajazit Nushi.
Telaku evokoi edhe disa kujtime të përvojave të tij me gjatë periudhës sa ka qenë student i profesorit Pajazit Nushi. Ndërsa prodekanja Mimoza Kamberi, lexoi thekse të biografisë së bujshme të akademikut Nushi.

Në emër të familjes Nushi, të pranishmëve iu drejtua i biri i Pajazit Nushit, Muhedin Nushi, nënkryetar i Komunës së Prishtinës.
“Familja jonë e ka pranuar me kënaqësi shumë të madhe këtë propozim të Kolegjit AAB! Jemi shumë të lumtur që veprimtaria e tij po vlerësohet nga miqtë, kolegët dhe studentët e tij. Jemi të lumtur meqë kjo po pasqyron edhe sakrificën e madhe të tij si dhe të vlerave njerëzore dhe profesionale të tij”, tha Nushi.

Iniciativa e sotme e juaja dhe e Kolegjit AAB përjetësisht e vendos akademik Pajazit Nushin në piedestalin e psikologëve të merituar shqiptar”, shtoi ai duke bërë të ditur gjithashtu që familja Nushi ka vendosur që nga biblioteka mjaft e pasur familjare, t’ i dhurojë një set librash profesionale të psihkologjisë laboratorit të sapo inauguruar.

Aktivitetet për shënimin e Javës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, kanë vazhduar më tutje edhe me shfaqjen “Bretkosa” në Teatrin Kamertal, një shfaqje psikologjike që trajton pasojat e traumave të luftës.
Po ashtu gjatë ditës, studentët e Fakultetit të Psikologjisë kanë zhvilluar edhe një aktivitet tjetër sensibilizues për shëndetin mendor.

Share: