Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit në Kolegjin AAB, Prof. Dr. Fatmir Pireva dhe Drejtori i Përgjithshëm i KF 2 Korriku, z. Shaban Baholli, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Marrëveshja ka për qëllim zhvillimin e projekteve të përbashkëta profesionale dhe kërkimore, me fokus të veçantë në bashkëpunimin me Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit, duke përfshirë: trajnime praktike dhe teorike; analiza dhe studime shkencore në fushën e sportit; zhvillimin e programeve për trajnimin e trajnerëve dhe sportistëve; organizimin e moduleve të specializuara në menaxhim sportiv, psikologji sportive, fiziologji dhe shëndet fizik.
Po ashtu, marrëveshja parasheh organizimin e aktiviteteve të përbashkëta promovuese dhe akademike, si seminare, konferenca, gara sportive, punëtori dhe panele ndërdisiplinare, me qëllim rritjen e vizibilitetit dhe ndikimit të të dy institucioneve në arenën sportive dhe edukative, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.
Një pikë e veçantë e marrëveshjes është edhe themelimi i bashkëpunimit ndërkombëtar akademiko-sportiv, përmes lidhjes së ndërmjetësuar të KF 2 Korriku – Femrat me California State University (SHBA), në fushat e Psikologjisë Sportive, Edukimit të Trajnerëve dhe Zhvillimit të Lidershipit, si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët.


