Nën organizimin e Kolegjit AAB, në bashkëpunim me universitete partnere nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kroacia, të premten dhe të shtunën zhvilloi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”.
Kjo konferencë e cila për shkak të situatës pandemike në mbarë globin u zhvillua virtualisht, mblodhi rreth vetes rreth 100 studiues nga vende të ndryshme, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, ShBA-të, Australinë, Belgjikën e Bullgarinë.
Kjo konferencë solli edhe tre personalitete të rëndësishme të shkencës në cilësinë e folësve kryesorë: Prof. Dr. Florian Bieber, nga Universiteti i Gracit (Austri), Prof. Assoc. Dr. Besnik Pula nga Virgina Tech (ShBA) dhe Prof. Dr. Anton Panchev nga Universiteti i Sofjes (Bullgari), ligjëratat e të cilëve u ndoqën me interesim të madh nga pjesëmarrësit.
Krahas tri ligjëratave speciale, punimet e konferencës u zhvilluan në tetë sesione të ndara ku u diskutuan tema nga integrimet, administrata, sundimi i ligjit, ekonomia, etj..
Punimet e pjesëmarrësve të konferencës “Perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, do të publikohen në Librin e punimeve të konferencës (Book of Abstracts), ndërsa punimet më të mira do të publikohen edhe në një numër special të Revistës Shkencore “Thesis”.