Me shfaqjen “Gratë” nga Teatri Shqiptar në Shkup, nisi edicioni i dytë i PITF 2018

Ka nisur rrugëtimin e tij edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Prishtina International Theater Festival”, PITF 2018, me hapjen zyrtare në ambientet e Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB.

Në këtë edicion të “Prishtina International Theater Festival” në programin garues do të paraqiten shtatë shfaqje teatrore që vijnë nga Italia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Në hapje të festivalit, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se PITF është një nismë krejtësisht vetanake, me përkrahje tejet modeste të partnerëve të Teatrit AAB “Faruk Begolli”. “Motoja e këtij edicioni ka për qëllim që të thotë se edhe pse ne vazhdojmë që të mbetemi të izoluar të paktën të bëjmë diçka që bota ta ketë vëmendjen te ne”, theksoi rektori Tafa.

Ai tregoi se është sfiduese prurja e aktorëve dhe regjisorëve nga vende të ndryshme në Kosovë për të qenë pjesë e këtij festivali, festival i cili për mendimin e tij ka si qëllim që të afrojë skenën teatrore të Kosovës me ato të vendeve tjera në botë.
“Edicioni i dytë i këtij festivali synon që të na afrojë me botën, të promovojë vlerat tona dhe mbi të gjitha t’i mundësojë publikut kosovar të njihet me rrjedhat bashkëkohore në lëminë e artit, në këtë kohë kur vazhdojmë të mbetemi të izoluar”, u shpreh Tafa.

Në anën tjetër, zëvendësministrja e kulturës, Leonora Morina-Bunjaku u shpreh e lumtur që teatri i cili mban emrin e Faruk Begollit, po e vazhdon traditën e tij.
“Faruk Begolli la mbrapa shumë bashkëpunëtorë, artistë dhe studentë të cilët po i ndjekin gjurmët e tij dhe po i mundësojnë Kosovës që të njihet dhe të promovohet përmes vlerave anembanë vendit por dhe jashtë tij. Motoja e këtij festivali ngërthen qëllimin e tij, të na afrojë me botën dhe të promovojë vlerat tona” tregoi ajo.
Ajo theksoi se shpreson që në një të ardhme të afërt kufijtë të mos jenë pengesë për promovimin e vlerave të artit në botë.
Festivali filloi me shfaqjen “Gratë” nga Maqedonia me regji të Qëndrim Rijanit dhe me tekst të skenaristit francez Rober Thomas. Në origjinal shfaqja “8 gratë” u bë e famshme në fund të viteve të 50-ta.
Gaby, dy vajzat e saj Suzana dhe Katerina, tezja tyre Agustina, gjyshja e tyre, halla e tyre Pierrette si dhe dy shërbëtoret e shtëpisë, janë tetë gratë, personazhe të dramës. Çdo gjë fillon kur Marcel, i vetmi burrë në shtëpi (bashkëshorti i Gabit) gjendet i vdekur në dhomën e tij të gjumit.

Gratë e kësaj shtëpie në përpjekje për të gjetur fajtorin gjejnë shumë më tepër, ndoshta më shumë sesa u pëlqen. Kjo nuk është vetëm një hetim kriminal, por kjo është edhe një histori për familjen, varësinë, dëshirat e paplotësuara dhe kërkimin për pranim dhe falje duke shtuar këtu edhe përbuzjet që iu bëhen grave, problemet dhe pabarazitë në të cilat hasin ato.
“Gjatë procesit jemi përpjekur që këtij teksti dhe kësaj historie ti veshim edhe përrallat dhe historitë e vërteta të grave të cilat jetojnë në vendet shqiptare. Ajo që është kryesore është se gruan si qenie e kemi trajtuar që nga fillimi deri në fund. Nuk kemi dashur që të paraqesim vetëm anën e mirë të grave apo që vetëm të sulmojmë burrat por që t’ i vëmë në pah temat të cilat kanë të bëjnë me gratë, por jo vetëm në Ballkan por edhe më tej”, ka thënë regjisori Qëndrim Rijani.
Në shfaqje luajnë: Teuta Ajdini- Jegeni, Drita Kaba- Karaga, Amernis Jovanovska- Nokshiqi, Aida Alidemi, Zarije Jonuzi- Çeliku, Mirlinda Saiti, Aida Elezi.

Shfaqja u mirëprit dhe u përcoll me duartrokitje frenetike nga shikuesit.

Festivali PITF2018, vazhdon të premten me shfaqjen “Nëna dhe fëmija” në regji të Dino Mustafiq, që në garë vjen për të përfaqësuar Shqipërinë.

 

INSTITUTI AAB
APLIKO