Ministri Arsim Bajrami: Kolegji AAB më i miri në rajon, së shpejti universitet dhe me programe të doktoratës

1 Qershor 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në një bashkëbisedim me studentët e Kolegjit AAB, ka ritheksuar se Kolegji AAB është kolegji më cilësor në Republikën e Kosovës, por edhe në rajon.“Këtë nuk edhe them për shkak se jam këtu dhe ndihem mjaft mirë, por e them sepse edhe në rankimet që kanë ndodhur, Kolegji AAB është rankuar më së miri në Kosovë, i dyti pas UP-së, por edhe ndër kolegjet me të mira në rajon. Ky sukses ka ardhur për faktin se ky kolegj, si duket ka ndërtuar një mision, më tepër se si një institucion i arsimit jo publik, një mision për të ndërtuar një institucion të respektuar të arsimit të lartë, ku të rinjve u jepet një arsim i avancuar në mënyrë që ata ëndrrën që të bëhen liderë të së ardhmes, ta realizojnë pikërisht në këtë shtëpi akademike”, theksoi ministri Bajrami.

Ai tha se tani asnjë prioritet më të madh nuk ka asnjë shtet se sa Republika e Kosovës si shtet i ri, shtet në zhvillim, se sa krijimi i një arsimi të lartë cilësor. “Arsimi i lartë cilësor, universitetet të fuqishme, kolegjet e fuqishme janë gjenerator i zhvillimit ekonomik. Janë instrumente nga i cili një shtet e zhvillon veten, një shtet, i cili plason ekonomi, kapacitet për të bërë zhvillimin ekonomik”.

Ministri Bajrami tha se tani Kosova më së shumti ka nevojë për kauza të zhvillimit ekonomik dhe perspektivës së të rinjve, se sa kauza patriotike. “Tani kemi nevojë vërtetë për një fillim të ri, jo për shkak se jemi në zgjedhje, por nuk mund të mbetemi 10 vite pas pavarësisë peng të kauzave patriotike, kombëtare dhe nuk e meritojnë të rinjtë që në tri vite të ballafaqohemi me kauza ndoshta politike, e mos të bisedojmë për perspektivën e të rinjve, për zhvillimin ekonomik, për punësim, për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje dhe padyshim që studentët të jenë ata që duhet të jenë shumë më kritikë, shumë më ankues, shumë më ëndërrues për të realizuar veten, për të realizuar familjen e vet, për të realizuar mirëqenien në Republikën e Kosovës”, shtoi Bajrami.

 

Bajrami foli edhe për punën e tij në këtë mandat si ministër ku tha se ka bërë disa procese që ndoshta janë jo fortë të dukshme, por që janë shumë të rëndësishme. “E para kam vendos një konkurrencë të barabartë dhe të lirë midis sektorit publik dhe jo publik, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë dhe në frymën e kushtetutës si njëri prej hartuesve të kushtetutës, ne kemi caktuar një rend liberal të arsimit të lartë, ku sektori publik dhe jopublik janë në konkurrencë dhe i kemi trajtuar në mënyrë të barabartë pa asnjë diskriminim duke siguruar mobilitetin, sepse më parë Universiteti Publik ka pas vendos rezistenca, në pranimin e studentëve të studimet e doktorraturës, të magjistraturës, dhe ju e dini se këto dy vite i kemi thyer ato barriera. Sot, secili student i këtij kolegji që ka mbaruar studimet master, pas asnjë diskriminim mund të regjistrohet në studimet e doktoratës”.

Sa i përket nivelit të tretë të studimeve, ministri Bajrami tha po punojnë më Kolegjin AAB që ky kolegj të adaptojë sa më shpejtë edhe programe të doktoratës. “Menjëherë këtu po e deklaroj, jo për shkak se jemi në zgjedhje, por ne po punojmë me Kolegjin AAB si lider, që sa më shpejtë të adoptojmë programe të doktoratës. Ky Kolegj i plotëson të gjitha kapacitetet edhe kuadrovike, edhe profesionale edhe standardet e cilësisë, që të fillojë të implemetojë edhe nivelin e doktoraturës, i cili mund të jetë shumë më kredibil se sa shumë institucione ku studentët tanë po gravitojnë dhe nganjëherë po na sjellin tituj jo kredibil dhe kompromitues”, u shpreh Bajrami.

Ai tha se ka punuar shumë në mbështetjen e këtij Kolegji që ky të zhvillojë kapacitete që të shndërrohet në një universitet, sepse sipas tij, është vonuar ky proces. “Ju e dini se mua më është dashur si ministër të vendosi ligje kur kam ardhur dhe disa kolegje që ndoshta s’kanë as ndërtesa, s’kanë as objekte, shpesh herë e kanë quajtur vetën universitet dhe kjo ndoshta ka qenë një padrejtësi ndaj Kolegjit AAB. Por këtu deklaroj se rruga për universitet është e kryer  dhe ky universitet së shpejti do të implementojë programin e tretë, në mënyrë që të jetë plotësisht konkurrent. Kjo i bën mirë edhe universiteteve publike, pasi që AAB-ja është në konkurrencë të barabartë me UP-në. Kjo i bën mirë edhe UP-së që të ketë një sfidues, që i bëhet konkurrent në mënyrë që të lëvizë më shumë në cilësi”, vlerësoi ministri Bajrami.

Ai shtoi se diçka e mirë që ministria po bën për sektorin publik dhe jo publik është se tani kanë sjellë një ligj, ku sipas tij pak njerëz dinë për atë ligj, që ka qenë projekt i tij dhe quhet ligji për profesionet e rregulluara me interes të veçantë publik. “Ky ligj i shpallë profesionet që për një shtet janë të rregulluara, apo me interes të veçantë publik, siç është profesioni i edukatorit, profesioni i inxhinierit, profesioni i mjekut, i juristit, ekonomistit, pra këto janë profesionet ku një shtet cakton standarde çfarë duhet të dijë dikush që e merr titullin jurist, ekonomist, mësimdhënës, edukator, inxhinier dhe ato standarde duhet t’i plotësojë çdo institucion publik dhe jo publik. Ju vetë jeni profesor të karrierës, ju vetë jeni studentë, ju e dini që ka kolegje që kanë politika jo kredibile të vlerësimit të studentëve dhe kjo po na shkakton problem pastaj. Duke e vendosur këtë praktikë, ne do të mundësojmë që të shihet performanca e studentëve, pra e diplomave. Një i diplomuar në cilin çdo kolegj, publik apo privat, para se të plasohet në tregun e punës, do të hyjë në provimin shtetëror të profesionit të vet dhe ky provim do të jetë një licencë e punës sepse provimi do të përmbajë pjesën praktike dhe teorike”, tha ministri Bajrami.

Ai foli edhe për planet e tij për të ardhmen, ku tha se për implementimin e programeve të cilat i ka nisur në arsim, do t’i duhen edhe katër vite mandat të ministrit që t’i përfundojë ato.

Në fund pati edhe një debat me ku studentë dhe staf i Kolegjit AAB dhanë komente si dhe parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj ministri i MAShT, Arsim Bajrami.

Share: