Në Kolegjin AAB është mbajtur një ligjëratë, me rast të muajit ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit që është në tetor. Në këtë ligjëratë para studentëve është theksuar rëndësia që ata kanë në përçimin e mesazhit dhe njoftimit të familjarëve në mënyrë që të parandalohet kjo sëmundje e rrezikshme në fillet e saj.
Nafije Latifi, udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, e cila mbijetoi në luftën me këtë sëmundje, tha se ndërgjegjësimi luan rol të madh në këtë betejë dhe këtë herë targetuan studentët nga Kolegji AAB, në mënyrë që të pasojnë informatat me kohë dhe ta dinë si ta njohin sëmundjen e simptomat e saj. Dr. Ekrem Hyseni pjesë e Klinikës së Onkologjisë, tha se çelësi i suksesit është nëse kjo sëmundje detektohet herët, duke rritur kështu gjasat për shërimin e saj. Sipas Hysenit, studentët edhe pse janë mosha të reja dhe nuk preken nga kjo sëmundje, ata mund ta kenë një familjar apo mik që ka nevojë për ndihmë dhe kështu secili nga ta bart përgjegjësi në supet e veta.
Studentët nga Kolegji AAB parashtruan pyetje në lidhje me stadet e sëmundjes, se si mund të parandalohet dhe cilët janë hapat e parë që duhen ndërmarrë për këdo që përballet me këtë sëmundje.