NDI ndau mirënjohje për studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB

8 Maj 2018

Dekanati i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB bashkë me një grup studentësh të këtij fakulteti, zhvilluan një takim me drejtorin e NDI-së (National Democratic Institute), për Kosovë, Alexander Chavarría.

Qëllimi i këtij takimi ishte falënderimi dhe ndarja e mirënjohjeve për studentët dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB që ndihmuan NDI-në në organizimin “Javës së Gruas 2018” (Week of Woman) që u mbajt në muajin mars të këtij viti.

Me këtë rast, drejtori i NDI, z. Alexander Chavarría, u shpreh me entuziazmin më të lartë për punën e studentëve të Shkencave Kompjuterike, për njohuritë e tyre në krijimin dhe mirëmbajtjen e faqes së tyre, përditësimin e saj me informata të reja si dhe njoftimin automatik të të gjithë pjesëmarrësve në kohë reale me sms, për çdo ngjarje.

Përpos kontributit dhe njohurive të paraqitura, z. Alexander Chavarría falënderoi studentët e Kolegjit AAB edhe për sjelljet dhe kulturën e punës së tyre dhe u dorëzoi atyre certifikata mirënjohjeje.

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterik, Jusuf Qarkaxhija, e njoftoi drejtorin Chavarría me punën dhe aktivitetet mësimore që zhvillohen në Kolegjin AAB në përgjithësi dhe në Shkencat Kompjuterike në veçanti.

Dekani Qarkaxhija, po ashtu i ofroi bashkëpunim organizatës NDI edhe për projekte të tjera eventuale, siç janë siguria kibernetike, matje të ndryshme elektronike, databazë, etj. Në fund, drejtori i NDI-së  z. Alexander Chavarría u ftua që të vizitojë Kolegjin AAB, të cilën ftesë, ky i fundit e pranoi me kënaqësi.

 

Share: