Në AAB Summer Project u diskutua për përjetimet e traumave dhe torturës dhe efektet psikologjike të tyre tek popullata që ka përjetuar luftën në Kosovë

9 Korrik 2021

Projekti veror hulumtues “AAB Summer Project”, këtë javë ka vazhduar me një temë të re, ku u diskutua për përjetimet e traumave dhe torturës dhe efektet psikologjike të tyre tek popullata që ka përjetuar luftën në Kosovë.

Krahas studentëve e stafit akademik të përfshirë në këtë projekt hulumutes, të ftuar në diskutimin e sotëm ishin edhe znj.Selvie Izeti Çarkaxhiu nga Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) dhe z.Korab Krasniqi nga Forumi ZFD.

Selvie Izeti Çarkaxhiu (KRCT) është e përfshirë në promovimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë e Kosovës si përgjigje ndaj nevojës për mbështetje psiko-sociale të të mbijetuarve të torturave dhe traumave gjatë luftës në Kosovë (1998-1999).

Në këtë mes Selvie Izeti Çarkaxhiu potencoi stigmat individuale, që personat e traumatizuar ia atribuojnë vetes, dhe stigmave shoqërore. Ndërsa, të gjeturat nga hulumtimet e implementuara nga kjo qendër dhe në bashkëpunim me vendet siç janë Australia dhe Danimarka kanë aluduar në fenomenin e bartjes së traumës tek të tjerët në bazë të nivelit të kortizolit.

I ftuar i aktivitetit të sotëm ishte edhe z. Krasniqi nga Forumi ZFD. Kjo organizatë mbështet njerëzit të ballafaqohen me konflikte të dhunshme në reagim ndaj krizës ballkanike. Më detajisht merren me hartimin, zhvillimin dhe implementimin e projekteve për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Me këtë rast, studentëve u është dhënë mundësia që të shpalosin rrëfimet e përmbledhura të të mbijetuarave gjatë luftës së fundit në Kosovë të titulluar: “Unë dua të dëgjohem” dhe “Përtej dhimbjes drejt guximit”. Në këtë të fundit preket edhe tematika e ndërveprimit me familjen, komunitetin dhe politikbërjen e vendit.

Ndërsa, profesoresha Mimoza Shahini nga Kolegji AAB, ka reflektuar ndaj shërbimeve të ofruara nga shteti i Kosovës për të mbijetuarit e traumave dhe të dhunës dhe ka ndarë përvojat nga puna praktike. Në anën tjetër, nga përvoja e punës hulumtuese është theksuar që bashkëshortet e veteranëve të luftës në krahasim me vet veteranin dhe fëmijën, kanë gjasa të kenë vështirësi me shëndetin e tyre mendor. Andaj, është bërë thirrje që traumat të adresohen si dimension dhe jo domosdoshmërisht si kategorizim.

KRCT dhe forum ZFD me rastin e këtij eventi, kanë dhuruar disa kopje të dy librave të botuara nga këto organizata “Përtej dhimbjes, drejt guximit” dhe “Unë dua të dëgjohem” për rektorin, bibliotekën dhe studentët e Kolegjit AAB.

Aktiviteti është përmbyllur duke i lënë radhë aktivitetit tjetër që do pasojë pas një jave.

Share: