Në Kolegjin AAB u mbajt debati virtual për perspektivat e studentëve të Kosovës në arsimin e lartë

8 Tetor 2020

Organizuar nga Kolegji AAB, sot u zhvillua një debat i hapur virtual në temën “Perspektivat e studentëve të Kosovës në arsimin e lartë”, ku morën pjesë përfaqësues të ambasadave të vendeve të BE-së në vendin tonë, agjenci të ndryshme ndërkombëtare por të cilat e mbulojnë fushën e arsimit dhe bashkëpunimeve me të rinj dhe fushën e akademisë, mësimdhënës e studentë të Kolegjit AAB.

Qëllimi i këtij diskutimi të hapur ishte të diskutohej për shkëmbim ndërkombëtar arsimor; ndërkombëtarizimin e arsimit të Kosovës e në veçanti Kolegjit AAB, digjitalizimin, bibliotekat universitare, etj..

Në debat morën pjesë: z. Donato Giuliani, këshilltar i Ambasadores së Republikës së Francës, Marie-Christine Butel; znj. Jehona Ademaj Sejdiu, këshilltare e Ambasadores së Republikës së Finlandës, Pia Stjernvall; ish-Ambasadori i Maqedonisë së Veriut dhe njëherit profesor në Universitetin e Tetovës, z. Agon Demjaha; Znj. Drita Kadriu, drejtoreshë e Departamentit për Arsim të Lartë në MASH; Znj. Jehona Lushaku Sadriu, drejtoreshë e Zyrës ERASMUS+ në Kosovë; z. Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe, z. Urim Sallauka, Drejtor i Bibliotekës së Kolegjit AAB.Debati u udhëhoq nga Prof.ass.dr. Venera Llunji, Prorektore për Bashkëpunim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kolegjin AAB. Fjalën hyrëse në debat e tha rektori i Kolegjit AAB, Dr.Sc. Bujar Demjaha.

Gjatë këtij takimi u bisedua për veprimet strategjike të universiteteve dhe kolegjeve që duhet t’ i ngërthejnë në vete të gjitha pritshmëritë nga tregu i punës, mbështetja e nevojshme për rrugët e integrimit të strategjive ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë në Kosovë për të rinjtë e saj, si t’ju ndihmohet studentëve gjatë rekrutimit të tyre si studentë nga Kosova por edhe atyre ndërkombëtarë që duan të studiojnë në Kosovë, si t’ u qasemi problemeve që i përjetojnë studentët dhe cilat duhet të ishin nismat qeveritare të shteteve për të hequr pengesat e ndryshme ndaj studentëve potencialë për të studiuar në ndonjë nga universitetet e BE-së.

Pikë po ashtu e rëndësishme e këtij debati ishte e lidhur me mundësitë e krijimit të rrjetit bashkëpunues mes ambasadave dhe zyrave të tjera relevante për marrje informacionesh direkte për grante, fonde për studime, për botime, për vizita studimore, shkolla dhe kampe verore, eskurzione studimore, e shumë aktivitete të tjera të cilat do të ishin pjesë integrale e ngritjes akademike dhe e cilësisë në arsim të lartë në Kosovë.

Share: