Në Kolegjin AAB u mbajt konferenca shkencore në temën “Funksionimi i shtetit juridik në Evropën Juglindore”

30 Tetor 2015

Përfundoi punimet Konferenca  shkencore ndërkombëtare nga fusha e drejtësisë “Funksionimi i shtetit juridik në Evropën Juglindore”, organizuar nga Fakulteti Juridik i Kolegjit AAB, në bashkëpunim me Fakultetit për Kriminalistikë, Kriminologji e Studime të Sigurisë të Universiteti të Sarajevës,  dhe në partneritet me Universitetin e Tiranës, Shoqatën e Juristëve të Austrisë, Akademinë Policore të Zagrebit (Kroaci),duke zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te akademikët, studiuesit dhe profesionistët e kësaj fushe nga shumë vende të  shteteve të rajonit dhe Evropës si: Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Austria,etj..

Me rastin e hapjes së punimeve të konferencës, rektori i Kolegjit  AAB, prof. dr. Lulzim Tafa,  tha se duke e kuptuar rolin shkencës ne përgjithësi, AAB si institucion i arsimit të lartë i ka kushtuar rëndësi të veçantë ngritjes së kapaciteteve të brendshme për të avancuar këtë komponentë mjaftë të rëndësishme për shoqërinë tonë. Rektori Tafa shtoi se tema e konferencës së sotme “Funksionimi i shtetit juridik në Evropën Juglindore” është një temë shumë aktuale, por edhe shumë sfiduese, sidomos në shtetet e rajonit  tonë me demokraci të reja e me institucione të brishta, sidomos në sferën e drejtësisë.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, prof. dr. Arsim Bajrami, tha se është kënaqësi që në cilësinë e ministrit të marrësh pjesë në hapjen e një konference shkencore, të një kolegji shumë të rëndësishëm në Kosovë, i cili në vazhdimësi po investon në komponentin kërkimor shkencor, që është vendimtar për sektorin e arsimit të lartë, sepse universitetet nuk janë vetëm për mësimdhënie, por duhet të jenë edhe institucione që stimulojnë dhe zhvillojnë kërkimin shkencor si komponent i rëndësishëmi misionit të universiteteve tona. “Kolegji AAB është lider në vendin tonë sa i përket organizimit të konferencave e debateve shkencore, dhe është një model i mirë që duhet ta ndjekin edhe universitetet publike që krahas mësimdhënies të bëhen vatra të fuqishme të kërkimit dhe hulumtimit shkencor”, tha ministri Bajrami.

Prof. dr. Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, në fjalën e tij tha se pavarësisht se ne si rajon kemi specifikat tona veç e veç, kemi edhe ngjashmëri dhe synimin e përbashkët, integrimin në Bashkimin Evropian. Kuçi tha se rekomandimet e kësaj konference do t’i marrin me seriozitet dhe do t’i shqyrtojnë. “Qëllimi është që në gjithë rajonin të kemi një sistem juridik më të mirë”, theksoi ministri Kuçi.

Në hapjen solemne, ministri i Drejtësisë i Republikës së Maqedonisë prof. dr. Adnan Jashari, tha se konkluzat e kësaj konference janë të mirëseardhura edhe për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, që do të tentojnë t’i zbatojnë.   

Dekani i FKKS të Universitetit të Sarajevës, prof. dr. Nedžad Korajlić, tha se me AAB-në kanë një bashkëpunim në të gjitha sektorët, si në shkëmbimin e stafit akademik, organizmin e konferencave, dhe sot ndihet i nderua rnë cilësinë e bashkorganizatorit.

Seancën plenare e moderoi prof. dr. Elmedin Muratbegović, ku me kumtesat tyre u paraqitën folësit kryesorë të konferencës, si prof. dr. Roland Miklau, nga Shoqata e Juristëve të Austrisë, me temën“Elementët kyç të sundimit të ligjit në Evropën Juglindore”. Prof. Miklau në fjalën e tij tha se shteti i së drejtës është për të garantuar të drejtat e njeriut në mënyrë që të shërbejë e të kultivojë demokracinë. Ai mori disa shembuj në shtetet e Bashkimit Evropian se si funksionon shteti i së drejtës dhe si janë të rregulluara strukturat shtetërore. Kurse,  prof. dr. Altin Shegani, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me temën “E drejta penale e rendit publik”;Josip Pavliček, PhD., nga Akademia Policore e Zagrebit në Kroaci me temën“Siguria e koorporatave si pjesë e sistemit të sigurisë”; prof. dr. Nedžad Korajlić, nga Universiteti i Sarajevës me temën “Shqyrtimi krahasimor i analizës statistikore për refuzimin e kallëzimeve penale në Republikën e Kroacisë dhe BeH”; si dhe prof. dr. Muhamet Kelmendi, dekan i Fakultetit Juridik në AAB, me temën “Tapitë e Perandorisë Osmane – bazë e njohjes së pronësisë në Kosovë”.

Përveç seancës  plenare punimet e konferencës u zhvilluan  në  tri sesione,  ku  prezantuan  mbi 60 pjesëmarrës – akademikë dhe profesionistë të fushave përkatëse, të cilët dhanë kontributin e tyre me punimet dhe gjetjet e tyre shkencore dhe me debatet e zhvilluara në kuadër të konferencës.

Share: