Në shënim të 8 Marsit, në Kolegjin AAB u diskutua për pozitën dhe rolin e gruas në shoqërinë bashkëkohore

7 Mars 2019

Pozita dhe roli i gruas në shoqërinë bashkëkohore ishte tema që u diskutua sot në Kolegjin AAB, për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Krahas studentëve e stafit akademik, të pranishëm me diskutimet e tyre ishin përfaqësues të politikës, përfaqësues të Policisë së Kosovës e personalitete të tjera më ndikim në Kosovë.

Kosova si një shtet i ri dhe një vend në tranzicion ka probleme të theksuara në trajtimin e barabartë të grave dhe burrave, u tha gjatë kësaj tryeze të organizuar nga Fakulteti Juridik i Kolegjit AAB.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Xhevahire Izmaku mes tjerash tha se shpreson që në të ardhmen gratë të jenë në një numër më të madh në pozitat menaxheriale e vendimmarrëse.

“Duhet të them se realiteti është ky. Kur dalim dhe i shikojmë vlerat dhe kualitetet që prezantojnë gratë tona dhe vajzat tona në botë e shohim që ne nuk ua kemi dhënë vendin e merituar. Duke qenë edhe vet pjesë e qeverisjes, shihet që në mesin e shumë ministrave është vetëm një ministre grua. Forumi më i fuqishëm është forumi i burrave, ata vendosin për pozitat vendimmarrëse, politika, vendimmarrja në Kosovë i takon burrave”, tha ajo.

Ndërsa, zëvendës kryesuesja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Lirije Kajtazi, u shpreh se gruaja nuk është përfaqësuar sa duhet në jetën institucionale dhe shoqërore. Mirëpo ajo shtoi se deri sa te jetë pjesë e forumeve dhe deputete në Kuvendin e Kosovës nuk do të ndalet së bëri thirrje për përfshirjen sa më të madhe të grave në pozita të rëndësishme në Kosovë. 

Tutje, zëvendësi i Avokatit të Popullit, Mehdi Geci ritheksoi se ligjet që posedon Kosova për trajtimin e barabartë të grave dhe burrave janë të rregulluara nga konventat ndërkombëtare. Mirëpo, zbatimi i këtyre ligjeve mbetet çështje problematike.

“Ligjet janë shumë të mira, por zbatimi mungon. Shteti ka përgjegjësi që t’i ofrojë kushte të barabarta të gjitha grave dhe burrave. Por në Kosovë ka ende punë që duhet bërë në këtë drejtim”, tha Geci.

Edhe përfaqësuesja nga Policia e Kosovës, Tahire Haxholli shtoi se për të garantuar zhvillimin e një shteti duhet t’i jepet hapësirë integrimit të grave në institucione të sigurisë.

Të gjithë të pranishmit që ishin prezentë shkëmbyen ide dhe përvoja për situatën e gruas kosovare në shoqëri, dhe pozicionimin e saj përballë problematikave të vështira me të cilat përballet e gjithë shoqëria.

Share: