Nënshkruhet marrëveshje e bashkëpunimit mes Kolegjit AAB dhe komunës së Gjilanit

11 Shkurt 2022

Nënshkruhet marrëveshje e bashkëpunimit mes Kolegjit AAB dhe komunës së Gjilanit

Në ambientet e Kolegjit AAB z. Alban Hyseni, kryetari i komunës së Gjilanit, ishte për një vizitë zyrtare dhe shumë miqësore me ç’rast edhe u nënshkrua marrëveshja për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit mes të të dy palëve. Ai u prit nga kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, Dr. Sc. Lulzim Tafa, rektori i Kolegjit, Dr. Sc. Bujar Demjaha dhe prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare dhe bashkëpunim Prof. Ass.Dr. Venera Llunji.

Gjatë këtij takimi u theksuan sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi i arsimit në përgjithësi por edhe sfidat në fushat e veçanta. Pas takimit, kryetari Hyseni vizitoi poashtu bibliotekat e kolegjit si dhe dy teatrot, Teatrin AAB “Faruk Begolli” dhe Teatrin Kamertal. Biblioteka dhe teatrot për kryetarin Hyseni ishin pjesë shumë e rëndësishme edhe për aktivitetet e përbashkëta që mund t’i zhvillojmë.

Marrëveshja mes dy institucioneve tona ngërthen promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta; kryerjen e punës praktike për studentët e Kolegjit AAB në institucionet/departamentet, drejtoritë, agjencitë, institucionet shkolllore dhe parashkollore të komunës; shkëmbimin e vizitave të organizuara për studentët dhe mësimdhënësit. Mbi të gjitha u theksua rëndësia e aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe artistike që nënkupton interesin e të dy palëve për të mirën e qytetarëve dhe në këtë rast të mirën ndaj të rinjve.

Bashkëpunimi mes të dy palëve do të realizohet falë angazhimit dhe përkushtimit të përbashkët.

Share: