Numri i të rinjve në Kosovë që përballen me probleme të shëndetit mendor po rritet

13 Dhjetor 2018

Problemet e të rinjve, si depresioni, ankthi, ndjenjat negative, seksualiteti dhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht tek të rinjtë e Kosovës po rritet dita e ditës.

Ky konstatim erdhi sot pas diskutimit të hapur “Le të flasim – shëndeti mendor i të rinjve”, të organizuar nga Fakulteti i Psikolologjisë i Kolegjit AAB në bashkëpunim me Fondacionit “Together Kosova”.

Dekanja e Fakultetit të Psikologjisë, Mimoza Kamberi, tha me këtë rast se adresimi në kohë i problemeve të shëndetit mendor mund të ndikojë në uljen e problemeve emocionale. Ajo gjithashtu bëri thirrje para studentëve që të mos shfaqin neglizhencë kur është në pyetje shëndeti mendor.

“Nëse çrregullimet e shëndetit mendor mbeten të pa trajtuara mund të ndikojnë në shumë aspekte të shëndetit, përfshirë mirëqenien emocionale dhe zhvillimin social, duke i bërë të rinjtë të ndihen të izoluar nga shoqëria, të stigmatizuar, dhe pa qenë në gjendje për të kontribuar në komunitet qoftë nga aspekti profesional, social, apo ndërpersonal”, theksoi Kamberi.

Ndërsa, psikologja nga Fondacioni “Together Kosova”, Anisa Zaçe ritheksoi se ankthi dhe depresioni janë ndër çrregullimet më të shpeshta të shëndetit mendor që po shfaqen në rritje edhe në vendin tonë. Por, sipas saj, diskutimi dhe trajtimi i duhur i këtyre problemeve në Kosovë duhet të bëhet kulturë individuale.

“Është shqetësuese që kaq shumë të rinj tanë kanë të bëjnë me çështjet e depresionit dhe ankthit, dhe shumë shpesh të vetëm. Ju si psikologë të rinj, duhet ta dini se me çfarë tipare të njerëzve do të keni punë, kjo sepse në Kosovë ende ka probleme të mos diskutimit të këtyre probleme, qoftë në familje, shoqëri apo edhe në punë”, u tha Zeqa studentëve.

Gjatë kësaj tryeze informuese, para studentëve të Psikologjisë të Kolegjit AAB, u prezantua edhe platforma “Nukjevet”, platformë kjo e cila ofron këshillim online për probleme tek të rinjtë nga psikologë e ekspertë të shumtë nga fusha e Psikologjisë.

Share: