Sot për një vizitë dhe tryezë të përbashkët në Kolegjin AAB janë mirëpritur përfaqësues nga Oda Amerikane e Infermierëve dhe Oda e Infermierëve të Kosovës, nga prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Idriz Sopjani, të cilët shoqëruan të ftuarit në një vizitë në objektin e Kolegjit AAB ku panë laboratorët e pajisur me mjetet e teknologjisë së fundit dhe hapësirat e tjera të shumta.
Në fillimin e tryezës së përbashkët rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, falënderoi pjesëmarrësit duke thënë se është nder dhe privilegj që institucioni të bashkojë në një vend një numër ekspertësh të kësaj fushe.
“Të gjithë të ftuarit e forcojnë përkushtimin tonë për infermieri dhe kujdes shëndetësor. Ne e vlerësojmë rolin që kanë infermierët në formimin e jetërave të njerëzve, andaj Fakulteti i Infermierisë në Kolegjin AAB luan rol esencial për të nxjerrur infermierët e rinj në Kosovë”, tha rektori Olluri ndër të tjera.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore përmes një prezantimi të shkurtër njoftoi të pranishmit rreth programeve që përmban ky fakultet.
“Ne kemi bërë një ndikim të madh në sistemin shëndetësor duke bashkëpunuar me odat e infermierëve dhe çdo vit vazhdojmë edukimin e atyre që punojnë në kujdesin shëndetësor. 80% e studentëve tanë janë të punësuar në Kosovë dhe jashtë saj sidomos në Gjermani, prandaj mund të na kontaktoni për çfarëdo lloj bashkëpunimi për të qenë partner në projekte të ndryshme”, tha Sopjani.
Kryetarja e Odës Amerikane të Infermierëve Allison P. Squires tha se “roli i infermierëve në shoqëri vazhdon të ketë rëndësi të veçantë dhe për këtë arsye nevojiten bashkëpunime me infermierët nga e gjithë bota, në mënyrë që shërbimet të kryhen në mënyrë profesionale dhe të duhur”.
Edhe kryetarja e Odës së Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, Nexhmije Goci, e falënderoi Kolegjin AAB për kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë në këtë fushë duke siguruar kuadro të suksesshme.
Në këtë tryezë morën pjesë: Allison P. Squires profesoreshë dhe drejtoreshë e Konsorciumit Global të Studimeve të Infermierisë dhe Mamisë; Simon A. Jones profesor në Departamentin e Shëndetit të Popullsisë në New York; Roswitha Koch nga Shoqata Zvicerane e Infermierëve; Brigita Skela Savic profesoreshë në Fakultetin e Kujdesit Shëndetësor “Angela Boškin” në Slloveni; Yasemin Gilaner, drejtoreshë nga Spitali Ndërkombëtar “Hayat” Turqi; Blerina Duka, Presidente e Urdhërit të Infermierisë në Shqipëri; Blerta Ilazi infermiere edukatore klinike nga “ReSTORE”; Milko Zanin, porfesor në “Sant Camillus International University of Health and Medical Sciences”, në Romë; Ippolito Notarnicola, koordinator i infermierisë kërkimore në Agjencinë Rajonale të Emergjencave Shëndetësore në Itali; Xhemaj DUgolli, nënkryetar në Odën e Infermierëve të Kosovës; Vlora Ejupi, profesoreshë.