Në Kolegjin AAB është zhvilluar aktivitet në kuadër të kampanjës sensibilizuese “Hape derën, çele zemrën” nga organizata joqeveritare për fëmijët pa kujdes prindëror (OFAP), i organizuar nga Fakulteti i Shkencave Sociale.
Aktiviteti u moderua nga profesori i këtij fakulteti Jeton Brajshori, ndërsa prezent për të folur rreth kësaj teme ishin: profesor Bujar Thaqi, menaxherja e programeve në OFAP Albana Hoti, Shukrije Kojçiqi sociologe, Fatmire Musliu nga një familje strehuese, drejtori i Qendrave Sociale në Fushë Kosovë Abaz Gjikolli dhe Venera Lenjani, psikologe.
Të gjithë të pranishmit thanë se kampanja “Hape derën, çele zemrën” u bën apel qytetarëve që të strehojnë fëmijët të cilët nuk kanë përkujdesje prindërore ose nuk janë në një ambient të sigurt familjar.
Gjithashtu ata theksuan se familjet që vendosin ta bëjnë këtë hap kaq të rëndësishëm për mirëqenien e një fëmije, do të përkrahen nga Qendra për Punë Sociale me vizita të rregullta, këshilla, trajnime dhe mbështetje të nevojshme.