Parlamenti gjerman ofron bursa për studentët kosovarë

7 Qershor 2016

Që prej njëzet e pesë viteve, Parlamenti Gjerman (Bundestagu) ofron programin e titulluar „Bursa Ndërkombëtare e Parlamentit (IPS)“, në kuadër të të cilit të rinjëve nga e gjithë bota u ofrohet mundësia që të njihen për së afërmi me punën e Parlamentit Gjerman. Edhe këtë vit, kandidateve dhe kandidatëve nga Kosova do t’u jepet mundësia të fitojnë një nga bursat e lakmuara për për këtë program.

Bundestagu Gjerman, bashkë me tri universitetet e Berlinit, u jep mundësi rreth 120 të rinjëve nga gjithsej 41 vende, të cilët janë të interesuar në politikë, që të njihen me proceset vendimmarrëse politike dhe të fitojnë përvojë praktike në fushën e punës parlamentare.

Programi IPS zgjatë gjithsej pesë muaj (nga 1 marsi 2017 deri më 31 korrik 2017) dhe përbëhet nga veprimtari të ndryshme, seminare dhe një stazh praktik, gjatë të cilit bursistet dhe bursistët do të ndjekin nga afër punën e një deputeti të Bundestagut. Në kuadër të këtij stazhi, bursistet dhe bursistët do të njihen me detyrat e ndryshme të zyrës së një deputeti. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit aktiv –  kjo përfshin hartimin e ekspertizave, përpilimin e fjalimeve, shkrimeve dhe letrave, përgatitjen e mbledhjeve si dhe kryerjen e detyrave të tjera të sekretariatit. Përpos kësaj bursistet dhe bursistët do t’i shoqërojnë deputetët e tyre në seancën parlamentare dhe do të shohin, se si zhvillohen procedurat në parlament.

Pjesëmarrësit e programit do të jenë të regjistruar si studentë të Universitetit të Humboldt-it në Berlin, dhe rrjedhimisht do të mund të ndjekin edhe aktivitetet arsimore (ligjeratat etj.) të këtij universtiteti. Përpos kësaj, bursistet dhe bursistët do ta kenë mundësinë që të marrin pjesë në seminare studimi të fondacioneve politike, nepërmjet të cilëve do t’u jepet mundësia të krijojnë përshtypje për jetën politike, ekonomike e kulturore të Republikës Federale të Gjermanisë.

Qëllimi i programit është zhvillimi dhe forcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve të Gjermanisë me shtetet pjesëmarrëse. Për më tepër, nëpërmjet këtij programi nxitet kuptimi reciprok dhe bashkëpunimi ndërmjet pjesëmarrëseve dhe pjesëmarrësve të kulturave të ndryshme.

Që nga viti 2007 kemi pasur tetëmbëdhjerë bursistë  nga Kosova. Në vitin 2016 janë tre pjesëmarrës nga Kosova, pjesë e programit.

Nësë keni njohuri shumë të mira të gjuhës gjermane, jeni e / i interesuar në politikë dhe tanimë i keni përfunduar studimet, ju mund të konkurroni për Bursën Ndërkombëtare të Parlamentit. Dokumentet e plota të aplikimit mund të dorëzohen deri më 30 qershor 2016 në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. Informata më të hollësishme rreth kritereve të aplikimit mund të gjeni në adresën: www.bundestag.de/ips

Share: