PhD.c.

Arta Rama

Anëtare e Këshillit Drejtues

PhD.c Arta Rama-Hajrizi është një juriste e shquar dhe eksperte e së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare, me një përvojë të pasur në fushën akademike, institucionale dhe diplomatike. E lindur dhe arsimuar në Prishtinë, ajo është diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master i ka përfunduar në American University – Washington College of Law në SHBA, me bursën prestigjioze Ron Brown Fellowship. Aktualisht është në përfundim të studimeve të doktoratës në Universitetin e Szegedit në Hungari, me fokus në pavarësinë institucionale të gjykatave kushtetuese.

Karriera e saj akademike ka filluar që herët me angazhime në Universitetin e Prishtinës, ku për afro dy dekada ka ushtruar detyrën e asistentes së lartë në lëndën e së drejtës kushtetuese. Ajo aktualisht ligjëronFakultetin Juridik dhe në Fakultetin e Administratës Publike në Kolegjin AAB, ndërsa është edhe anëtare e Bordit Drejtues të këtij institucioni.

Në periudhën 2012–2021, Arta Rama-Hajrizi ka shërbyer si Gjyqtare dhe Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke qenë gruaja e parë në këtë post të lartë institucional. Në këtë pozitë, ajo ka udhëhequr procese kyçe për zhvillimin e jurisprudencës kushtetuese dhe ruajtjen e balancës së pushteteve në një demokraci në tranzicion. Më parë, gjatë viteve 2008–2012, ka përfaqësuar Kosovën si Konsulle e Përgjithshme në New York, ku themeloi Konsullatën e Kosovës në SHBA – një nga përfaqësitë e para diplomatike të vendit të sapo shpallur të pavarur.

Rama-Hajrizi është ndër figurat më të rëndësishme që kanë kontribuar në ndërtimin e bazës juridike të shtetit të Kosovës. Ka qenë anëtare e Grupit Punues për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës (2007–2008) dhe më herët ka marrë pjesë në hartimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (2004–2006). Ajo është angazhuar gjithashtu në projekte të USAID-it për reformën në sistemin gjyqësor, përfshirë edhe detyrën e juristes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Përvojën e saj e ka plotësuar me punë në organizata të njohura ndërkombëtare si Finnish Human Rights Program dhe Academic Training Association.

Kontributi i saj në fushën akademike është i pasur dhe shumëdimensional. Ka publikuar një numër të madh punimesh shkencore dhe ka marrë pjesë në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare në Evropë dhe SHBA. Prej tyre, veçohen prezantimet në konferenca prestigjioze si ICON-S në Madrid, Siracusa Institute në Itali, Universiteti i Notre Dame në Romë, si dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Ndër publikimet e saj të fundit përmenden:

  • “Përfundimi i një rivaliteti të pafund: Rasti i bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Kosovës” (ASHK, 2024)
  • “Avancimi i Gjyqësisë Kushtetuese përmes bashkëpunimit me Komisionin e Venecias” (ASHK, 2023)
  • “Policy Process and Policy Development Capacity in Kosovo” (KFOS & LGI/OSI, 2006)

Ajo është gjithashtu përkthyese e doracakut “Kuptimi i të Drejtave të Njeriut” (2005), një manual ndërkombëtar mbi edukimin për të drejtat e njeriut.

Përveç angazhimit në arsimin e lartë dhe institucionet e drejtësisë, Arta Rama-Hajrizi ka përfaqësuar Kosovën si zëvendësanëtare në Komisionin e Venecias (2014–2018), një trupë e rëndësishme këshillimore për të drejtën kushtetuese pranë Këshillit të Evropës.

Gjatë viteve të karrierës, ajo është nderuar me një sërë bursash prestigjioze ndërkombëtare, ndër to:

  • Stipendium Hungaricum (2021–2025), bursa për studime të doktoratës në Hungari
  • Bertha von Suttner Stipendium (2008–2011) nga Ministria e Jashtme e Austrisë
  • Ron Brown Fellowship (2002–2003) nga Departamenti i Shtetit Amerikan
  • KFOS & OSI Fellowships për zhvillimin e politikave publike dhe ligjërimin akademik

 

Ajo flet rrjedhshëm shqip, anglisht dhe serbisht. 

Është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Prishtinë.