Dr.Sc

Basri Muja

Ekspert i arsimit të lartë, ligjërues universitar dhe konsulent për politika publike dhe sigurim të cilësisë.

Dr. Sc. Basri Muja është ligjërues dhe ekspert i profilizuar në fushat e administratës publike, shkencave politike, diplomacisë dhe sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Ai ka një karrierë të gjerë akademike dhe institucionale që përfshin dy dekada përvojë në ndërtimin e standardeve të arsimit në Kosovë dhe në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Dr. Basri Muja ka lindur më 2 mars 1968 në Mitrovicë, ku përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm. Pas studimeve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1989–1993), Dr. Muja kreu studimet në nivelin themelor dhe master (2000-2005) në fushat e shkencave politike dhe sociologjisë dhe më vonë doktoraturën (2016–2019), në Universitetin Friedrich-Alexander të Erlangen-Nürnberg në Gjermani, duke u përqendruar në fushën e shkencave politike.

Studimet e tij në Gjermani kanë ndikuar fuqishëm në formësimin e një profili akademik të orientuar drejt qasjeve evropiane dhe metodologjisë shkencore perëndimore. Ndër pozitat më të rëndësishme që ka mbajtur është ajo e Drejtorit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (2009–2015), ku ka qenë themelues dhe zhvillues i sistemit të sigurimit të cilësisë për arsimin e lartë dhe atë profesional.

Gjatë mandatit të tij, dhe pas nënshtrimit të një procesi të vlerësimit nga ekspertë eminent ndërkombëtar, Agjencia e Akreditimit të Kosovës kishte arritur (2014) anëtarësim të plotë në Rrjetin Europian të Agjencive të Akreditimit të Arsimit të Lartë (ENQA).

Dr Muja ka qenë pjesë e grupeve punuese për ndërtimin e kornizave dhe dokumenteve tjera për vlerësim institucional dhe të programeve të studimit, licensim, akreditim dhe trajnime për zhvillimin e stafit akademik, duke udhëhequr procese të rëndësishme në nivel kombëtar dhe rajonal.

Ka përfaqësuar Kosovën në grupet e punës të ENQA-s për rishikimin e Standardeve dhe Udhëzuesve Europian (ESG) dhe zhvillimin e politikave dhe procedurave standarde për zhvillimin e burimeve njerëzore për agjencitë e akreditimit të arsimit të lartë, anëtare të ENQA-s.

Nga viti 2016 deri më 2020 ka vepruar si konsulent i pavarur në fushën e arsimit të lartë, politikave publike dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale. Ka kontribuar në zhvillimin e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, ka mbështetur reforma në menaxhimin financiar publik, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet institucioneve arsimore dhe donatorëve.

Që prej vitit 2020, Dr. Muja është pjesë e stafit akademik të Kolegjit AAB, ku ligjëron lëndë nga fusha e administratës publike, shkencave politike dhe të drejtës. Ai është i angazhuar në hartimin e kurrikulave të reja, sigurimin e cilësisë së brendshme dhe zhvillimin e strategjive institucionale për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Kosovë, me theks të veçantë në integrimin e praktikave gjermane të mësimdhënies.

Përvoja e tij si ligjërues përfshin edhe angazhime në Kolegjin Dardania dhe Kolegjin Victory, ku ka ndihmuar në zhvillimin e sistemit të brendshëm të cilësisë dhe në ndërtimin e programeve studimore të orientuara drejt tregut të punës dhe inovacionit pedagogjik.

Përveç angazhimeve akademike, Dr. Muja ka qenë i ftuar si ligjërues mysafir në universitete të huaja, përfshirë Universitetin e Kehl-it në Gjermani (maj 2025).

Dr. Basri Muja është një zë i dëgjuar në media për analizën e zhvillimeve politike, institucionale dhe arsimore në Kosovë dhe rrafshin ndërkombëtar.

Gjuhët dhe Kompetencat Ndërkulturore
• Gjuha amtare: Shqipja
• Gjuhë të huaja:
o Gjermanisht (C2 – kuptim, lexim dhe shkrim)
o Anglisht (C1 kuptim dhe lexim, B2 shkrim)
o Serbo-Kroatisht (C1 kuptim dhe lexim, C2 shkrim)

Aftësi dhe angazhime profesionale
• Aftësi të avancuara në zhvillimin e kurrikulës dhe dizajnin institucional të programeve të arsimit të lartë
• Ekspertizë në hartimin e politikave publike për sektorin e arsimit
• Trajner dhe prezantues në konferenca, forume dhe simpoziume ndërkombëtare
• Kryesues i grupeve të punës dhe komisioneve për zhvillimin e standardeve arsimore
• Kontribut i dokumentuar në ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe menaxhimin e palëve të interesuara

Dr. Basri Muja është një figurë kyçe në zhvillimin institucional dhe akademik në Kosovë, duke kombinuar përvojën kërkimore me atë drejtuese dhe ndërkombëtare. Me qasje të qëndrueshme, vizion të qartë dhe etikë të lartë profesionale, ai mbetet një kontribuues i rëndësishëm për të ardhmen e arsimit të lartë në rajon.

Është i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Prishtinë.