Driton Sadiku ka lindur më 11 gusht 1983 në Prishtinë, në Lipjan përfundoi shkollimin fillor, ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në shkollën e mesme të mjekësisë Dr. Ali Sokoli në Prishtinë. Përfundoi studimet bachelor në Menaxhment dhe Informatikë në Kolegjin AAB në vitin 2009, si dhe një program të dytë bachelor në Shkenca të Infermierisë në vitin 2019.
Ndërsa në vitin 2023, përfundoi me sukses studimet Master në Menaxhment të Shëndetësisë në të njëjtin institucion, duke dëshmuar angazhim dhe performancë akademike.
Pervoja e punës për Driton Sadikun ka filluar në vitin 2006 ku ka ndërtuar një karrierë gjithëpërfshirëse duke kombinuar shërbimin publik, kujdesin shëndetësor dhe angazhimin akademik. Karrierën e tij e nisi si Polic i Kosovës në Lipjan nga viti 2006 deri në vitin 2013, ku kontribuoi në ruajtjen e rendit publik dhe në përgjigjet emergjente.
Prej vitit 2013 deri në vitin 2015, ka punuar si Menaxher i Strehimit për Emigrantë në Suedi, ku koordinoi shërbime dhe mbështetje së bashku me migracionin suedez për azilkërkuesit e ardhur sidomos nga zonat e luftes si Siria.
Që nga viti 2018, punon si Infermier në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në komunën e Prishtinës duke ofruar shërbime shëndetësore urgjente në situata kritike për jeten.
Paralelisht me karrierën e tij mjekësore, Driton Sadiku është i angazhuar edhe në arsimin e lartë që nga viti 2018. Ai mban pozitën e Asistentit Universitar/Ligjërues në Kolegjin AAB , ku ligjëron lëndë nga fusha e shkencave mjekësore.
Nga viti 2023 është përzgjedhur Koordinator i programit ATLS (Advanced Trauma Life Suport) nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku udhëheq ofrimin e këtij programi ( ATLS ), të akredituara nga Kolegji I Kirurgëve Amerikan për profesionistët mjekësorë në nivel vendi dhe më gjerë.
Pjesëmarrës pasiv në shumë konferenca dhe trajnime profesionale. Ndërsa në vitin 2023 mori pjesë në Konferencën e 30-të Kirurgjikale Shqiptare & Kongresi i 7-të Shqiptar i Traumës dhe Kirurgjisë së Urgjencës në Tiranë, ku ishte bashkëautor i punimit me temën: “Roli i edukimit të vazhdueshëm profesional dhe trajnimeve specifike në urgjencat paraspitalore”
Puna e tij akademike fokusohet në ndërthurjen e përvojës praktike shëndetësore me menaxhimin e sistemeve shëndetësore, duke e bërë atë kontribues të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. I njohur për aftësitë organizative, etikën profesionale dhe përkushtimin ndaj punes dhe profesionit, Driton Sadiku gëzon respektin e kolegëve dhe studentëve.
Ai aktualisht jeton në Lipjan, Kosovë, është i martuar, ka tre fëmijë dhe është i përkushtuar ndaj mësimit të përhershëm, zhvillimit institucional dhe avancimit të sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit në Kosovë.