Koordinatore për Mësim në Fakultetin e Shkencave Shëndetësore – Kolegji AAB
Edona Gara ka lindur më 17/09/1995 në Drenas, ku përfundoi dhe shkollimin fillor dhe të mesëm. Edona Gara ka përfunduar studimet Bachelor në Infermieri në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 2013-2016. Më tej, ka ndjekur studimet Master Shkencore në Edukim Shëndetësor në të njëjtin fakultet, të cilat i përfundoi në vitin 2017-2020. Në vijim, ajo ka kryer edhe studimet Master Shkencor në Infermieri në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, Shqipëri, të cilat i ka përfunduar në vitin 2020-2023. Ndërsa nga viti 2023 është duke ndjekur studimet e Doktoraturës në Universitetin Tor Vergata në Romë, Itali, në Departamentin e Biomjekësisë dhe Edukimit Shëndetësor në fushën e Shkencave Infermierore dhe Shëndetit Publik (https://web.uniroma2.it/).
Nga viti 2016 deri në shtator të vitit 2017, Edona Gara ka punuar si infermiere instrumentare në Spitalin “Kardio Center” në Prishtinë, një institucion i specializuar në shërbime kardiokirurgjike dhe procedura invazive.
Karrierën akademike Edona Gara e ka filluar në tetor të vitit 2017 në Kolegjin AAB, ku ka ushtruar detyrën e asistentes mësimore në Fakultetin e Infermierisë. Gjatë kësaj periudhe (tetor 2017 – janar 2018), ajo ka qenë gjithashtu koordinatore e praktikave klinike, duke organizuar dhe mbikëqyrur procesin e realizimit të praktikave profesionale për studentët në institucionet shëndetësore partnere. Ajo ka bashkëpunuar ngushtë me instruktorët klinikë dhe ka siguruar zbatimin e standardeve të praktikës në përputhje me kurrikulën.
Nga viti 2018 deri në tetor të vitit 2023, ka ushtruar funksionin e Koordinatores së Cilësisë në kuadër të Fakultetit të Infermierisë. Në këtë rol, ajo ka qenë përgjegjëse për: zbatimin dhe përmirësimin e standardeve të brendshme të cilësisë akademike dhe administrative; hartimin e raporteve të vetëvlerësimit dhe përgatitjen për proceset e akreditimit institucional e programor; mbledhjen dhe analizimin e të dhënave mbi cilësinë e mësimdhënies dhe kënaqësinë e studentëve; përmirësimin e vazhdueshëm të praktikave pedagogjike dhe monitorimin e vlerësimit të performancës akademike.
Prej vitit 2020, Edona Gara ushtron gjithashtu detyrën e ligjërueses në programin e Infermierisë në Kolegjin AAB. Në këtë rol, ajo ligjëron lëndën e Kujdesit infermieror tek të moshuarit dhe geriatria në nivelin Bachelor të Infermierisë, si dhe lëndën “Programi Diagnostiko – Terapuetik”.
Përmes mësimdhënies, ajo ka kontribuar në përgatitjen profesionale të studentëve në përputhje me standardet bashkëkohore të arsimit në shkencat shëndetësore, duke integruar përvojën klinike dhe aftësitë kërkimore në procesin edukativ. Ajo përdor metoda aktive të të nxënit, vlerësim të vazhdueshëm dhe orientim praktik për të forcuar kompetencat e studentëve në përballjen me sfidat e sistemit modern të kujdesit shëndetësor.
Nga tetori i vitit 2023, Edona ushtron detyrën e Koordinatores për Mësimdhënie në Fakultetin e Shkencave Shëndetësore në të njëjtin kolegj. Në këtë pozicion, ajo është e përfshirë në: planifikimin dhe organizimin e procesit mësimor për të gjitha programet e fakultetit; mbështetjen e stafit akademik në zhvillimin e materialeve didaktike dhe në zbatimin e metodave moderne të mësimdhënies; sigurimin e përputhshmërisë së mësimdhënies me standardet e arsimit të lartë dhe kërkesat e tregut të punës në fushën e shëndetësisë.
Përvoja e saj shumëvjeçare në role të ndryshme akademike dhe administrative e ka pajisur me një kuptim të thellë të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë, si dhe me aftësi të forta organizative, bashkëpunimi dhe udhëheqjeje në mjedis institucional.