Edona Krasniqi është kandidate për doktoraturë në fushën e Shkencave Kompjuterike. Ajo ka një përvojë të pasur ndërkombëtare dhe lokale në fushën e teknologjisë së informacionit, arsimit dhe inovacionit.
U lind dhe u rrit në Ferizaj, ku kreu arsimin fillor dhe të mesëm. Studimet universitare i përfundoi në vitin 2008 në South East European University në Tetovë, Maqedonia e Veriut, duke diplomuar në Shkenca Kompjuterike. Më tej, në vitin 2015 filloi studimet master në Menaxhimin e Sistemeve të Informacionit në University of Salford, Manchester, të cilat i përfundoi me sukses në vitin 2018. Paralelisht, përforcoi më tej formimin e saj akademik me një Master në Aplikimin e TIK-ut në Mësimdhënie në South East European University gjatë viteve 2017-2018. Aktualisht është në përfundim të studimeve të doktoraturës në South East European University.
Karriera e saj profesionale është e karakterizuar nga një angazhim i vazhdueshëm në sektorin teknologjik, arsimor dhe atë të inovacionit. Nga viti 2008 deri më 2015, ka qenë aktive në projekte ndërkombëtare në kuadër të kompanive të njohura si KBR Corporation dhe Fluor Corporation duke punuar si Menaxhere e Bazave të të Dhënave në baza ushtarake në Kosovë dhe Afganistan. Në këto pozita, ka zhvilluar dhe menaxhuar sisteme të avancuara për menaxhimin dhe automatizimin e projekteve të ndryshme.
Pas kthimit në Kosovë, përvoja e saj profesionale u orientua në drejtim të arsimit. Që nga viti 2016, është mësimdhënëse e TIK-ut në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj. Ndërsa nga viti 2022, është pjesë e stafit akademik në Kolegjin AAB, ku ligjëron në dy departamente – Shkencat Kompjuterike dhe Shkencat Sociale.
Përveç angazhimeve akademike, Edona Krasniqi është gjithashtu një figurë aktive në fushën e inovacionit. Në nëntor të vitit 2023, bashkëthemeloi KED Innovation Center në Ferizaj, një qendër për zhvillimin e startup-eve, trajnimeve teknologjike dhe ofrimin e shërbimeve për biznese dhe individë.
Kontributi i saj në kërkimin shkencor është dëshmuar përmes pjesëmarrjes dhe prezantimeve në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare si Mediterranean Conference on Embedded Computing (MECO), me punime që trajtojnë temat e sigurisë në cloud, vlerësimin e sistemeve të e-mësimit në Kosovë dhe analiza të të dhënave në kontekst global
Së fundmi, hulumtimi i saj është pranuar për prezantim në Konferencën Ndërkombëtare IEEE për Metrologji në Realitetin e Zgjeruar, Inteligjencën Artificiale dhe Inxhinierinë Neurale (IEEE MetroXRAINE 2025), e cila do të mbahet nga 22 deri më 24 tetor 2025 në Ankona, Itali. Punimi i pranuar, me titull “A Survey on Extended Reality in Disaster Management: Integrating XR, IoT, and Machine Learning for Enhanced Situational Awareness”, paraqet një analizë të thelluar të mënyrave se si teknologjitë e avancuara mund të kontribuojnë në menaxhimin efektiv të emergjencave dhe në rritjen e ndërgjegjësimit në kohë reale.
Edona Krasniqi përfaqëson një profil bashkëkohor të akademikës dhe profesionistës së teknologjisë, e cila kombinon ekspertizën praktike, kërkimin shkencor dhe përkushtimin në edukim me vizionin për transformim përmes inovacionit. Ajo është shembull i angazhimit të gruas në STEM dhe një kontribuuese e rëndësishme në zhvillimin e ekosistemit të TIK-ut në Kosovë.
Jeton në Ferizaj dhe është e përkushtuar në avancimin e mëtejshëm të karrierës së saj akademike, teknologjike dhe ndërmarrëse.