MSc.

Edona Shala

Koordinatore për Sigurimin e Cilësisë

Edona Shala ka lindur më 07.09.1993 në Kosovë. Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Infermieri të Përgjithshme në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë në janar të vitit 2017. Më tej, ka vazhduar studimet Master në Edukim në Kujdesin Shëndetësor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, të cilat i ka përfunduar në nëntor të vitit 2020.

Karrierën profesionale e ka filluar në Kolegjin AAB, ku gjatë vitit akademik 2018-2019 ishte e angazhuar si asistente në lëndën “Praktika Klinike”, duke realizuar ushtrime në laboratorët e infermierisë. Më pas, nga tetori i vitit 2019 deri në janar të vitit 2023, ka qenë asistente e angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, ku ligjëroi në lëndën “Praktika Klinike I” dhe monitoroi studentët në institucionet shëndetësore.

Nga tetori i vitit 2020, Edona u rikthye në Kolegjin AAB, kësaj here me rol të përhershëm si asistente e rregullt, ligjëruese dhe koordinatore e praktikave për studentët e vitit të dytë në lëndën “Kujdesi Infermieror Onkologjik dhe Paliativ”. Që nga shtatori i vitit 2023, ajo është emëruar edhe Koordinatore për Sigurimin e Cilësisë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në të njëjtin kolegj, duke u angazhuar gjithashtu edhe si koordinatore e tezave të diplomës.

Edona ka marrë pjesë në trajnime dhe kurse të shumta profesionale, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, duke përfshirë:

  • Trajnimin ndërkombëtar “Përmirësimi i edukimit dhe praktikës infermierore gjatë pandemisë COVID-19” organizuar nga Fakulteti i Infermierisë “Dokuz Eylul” në Turqi dhe Kolegji AAB (2021);
  • Trajnim ndërkombëtar me temë “Njohuri të përgjithshme infermierore” me pjesëmarrës nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Kroacia dhe Turqia (2021);
  • Kurse ndërkombëtare për edukim të vazhdueshëm profesional në menaxhimin e dhimbjes dhe kujdesin infermieror për pacientët me çrregullime neurologjike;
  • Certifikata në infermierinë psikiatrike dhe shëndetin mendor;
  • Certifikata “Qasje e integruar në shëndet dhe edukim shëndetësor”.

Ajo zotëron aftësi shumë të mira organizative dhe kompjuterike, me njohuri në programe si MS Word, PowerPoint, SPSS dhe Adobe. Gjithashtu, ka njohuri të shkëlqyera në gjuhët angleze dhe gjermane, në të folur, lexim dhe të shkruar.

Edona është anëtare e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK) dhe njihet për përkushtimin e saj profesional, punën ekipore dhe angazhimin në ngritjen e cilësisë në arsimin infermieror.