Ekrem Kryeziu u lind më 1943 në Pejë, Kosovë. Është regjisor për film dhe televizion, autor filmi dhe producent filmi nga Kosova. Diplomoi në Akademinë e filmit në Beograd, dega e Dramaturgjisë, në klasën e prof. Josip Kulungjic. Si student ishte i angazhuar në redaksinë e gjuhës shqipe të TV Beogradit, ku ka punuar si skenarist, redaktor dhe regjisor. Lista e titujve të veprave të Kryeziut, si autor dhe regjisor është shumë e gjatë, deri më tani ka realizuar njëmbëdhjetë filma dokumentarë. Është themelues i kompanisë së prodhimit të filmit dhe muzikës “Labia”. Më 1996 themeloi degën e Dramaturgjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, të cilën e drejtoi për tre vjet dhe për disa vite në këtë fakultet ka punuar si profesor i dramaturgjisë. Merret edhe me publicistikë dhe analiza politike dhe tani radhitet si regjisori më produktiv në prodhimin e filmit, televizionit dhe teatrit në Kosovë. Jeton dhe punon në Prishtinë.