Ilir Tafa u lind në Lipjan më 1974. Është njëri ndër aktorët më të njohur dhe më të popullarizuar në Kosovë dhe jashtë vendit. Ai ka luajtur në shumë projekte filmike dhe teatrale në Kosovë dhe jashtë saj, sidomos në Bosnje e Kroaci.
Me fillimin e studimeve nisi të zotërojë profesionin e aktorit, ku për një kohë shumë të shkurtër realizoi vepra brilante në teatër e kinematografi, si në vend ashtu edhe jashtë. Deri më tani ka luajtur në disa filma artistikë dhe seriale, si dhe në shumë shfaqje teatrore, me role skenike nga më të ndryshmet si: “Sonte jam vetëm”, “Alo 038”, “Studio 2”, në filmat artistikë “Atje ku nuk lind dielli”, “Shtëpia e tmerrit”, në serialet “Kamera me yjet”, “Kandidati për president”, “Kaçurrelët”, “Zogjtë e luftës”.
Që nga viti 2009 merr pjesë në shumë projekte artistike si në teatër, film dhe televizion. Në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, Ilir Tafa është bërë i njohur me serialin “Lud, Zbunjen, Normalan”.
Çmimi “Aktorit më të mirë” iu nda nga Festivali i Filmit të Kosovës – Gjilan, Festivali i Komedisë Shqiptare në Preshevë, Festivali Ballkanik i Teatrit në Prishtinë dhe Festivali i Teatrove Shqiptare i mbajtur në Dibër të Maqedonisë.
Ilir Tafa mban gradën më të lartë universitare në fushën e aktrimit dhe është mësimdhënës i disa lëndëve. Ai jeton dhe vepron në Prishtinë.
Ligjëron lëndët:
Diksion II
Interpretim