Prof. Ass. Dr. Mentor Borovci ka lindur më 8 janar 1980 në Prishtinë, ku gjithashtu ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i kreu në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku mori titullin Jurist i diplomuar. Më pas vazhdoi studimet posdiplomike në të njëjtin institucion, duke u nderuar me titullin Magjistër i Shkencave Juridiko-Ndërkombëtare (2009), me temën: “Privilegjet dhe Imunitetet Diplomatike me vështrim të veçantë në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961”. Në vitin 2019, ai mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës me titullin: “Roli i organizatave ndërkombëtare në njohjen dhe mosnjohjen e shteteve”, duke fituar titullin Doktor i Shkencave Juridike – Ndërkombëtare.
Karriera e tij profesionale është e lidhur ngushtë me zhvillimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Që nga viti 2017, Prof. Borovci ushtron funksionin e Drejtorit të Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, ku mbikëqyr procesin e hartimit, harmonizimit dhe kontrollit të cilësisë së legjislacionit, duke garantuar përputhshmërinë me Kushtetutën, ligjet ekzistuese dhe standardet e BE-së. Ai është ideator dhe udhëheqës i Sistemit për Hartimin e Legjislacionit (LDS), platforma e vetme elektronike e hartimit të legjislacionit në Kosovë, si dhe ka kontribuar drejtpërdrejt në krijimin dhe përditësimin e Regjistrit Qendror të Lejeve dhe Licencave dhe Regjistrit të Akteve Nënligjore.
Ai është bashkërendues qendror i procesit të Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Planit për Aktet Nënligjore, dhe Programit për Vlerësimin Ex-Post të Legjislacionit. Në këtë funksion, ai ka një rol kyç në mbështetjen e reformave të qeverisjes së mirë, duke koordinuar opinionet e Qeverisë për nismat ligjore të Kuvendit, përafrimin e legjislacionit me Acquis të BE-së, si dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venedikut. Po ashtu, udhëheq punën me Këshillin e Drejtorëve të Departamenteve Ligjore si mekanizëm të koordinimit të Shërbimit Ligjor Qeveritar. Kontributi i tij institucional përfshin edhe hartimin e manualëve të hartimit të legjislacionit dhe harmonizimit me Acquis të BE-së, rritjen e transparencës në procesin legjislativ dhe zhvillimin e kapaciteteve për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të ligjeve.
Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur një sërë funksionesh të larta drejtuese, duke përfshirë: Drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, U.D. Sekretar i Ministrisë së Diasporës, Drejtor i Departamentit të Hetimeve në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Zyrtar i Lartë Ligjor në Zyrën e Kryeministrit, Konsulent Ligjor për Komisionerin e Përkohshëm për Media dhe Konsulent Ligjor nga NDI në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai ka përfaqësuar institucionet e Republikës së Kosovës në forume vendore dhe ndërkombëtare, dhe ka qenë i përfshirë në hartimin e dokumenteve të politikave publike, strategjive shtetërore dhe draftligjeve për reforma kyçe institucionale.
Prof. Borovci ka qenë udhëheqës i grupeve punuese ndërinstitucionale për hartimin e dhjetëra analizave ligjore, koncept dokumenteve, vlerësimit ex-post të legjislacionit, dokumenteve strategjike si dhe hartimit dhe harmonizimit të projektligjeve nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, antikorrupsionit, parandalimit të konfliktit të interesit, deklarimit të pasurisë, politikave të diasporës, thjeshtësimit të lejeve dhe licencave dhe reduktimit të barrës administrative. Ai gjithashtu ka mbështetur procese të rëndësishme integruese në kuadër të dialogut me Bashkimin Evropian.
Si ekspert i njohur i së drejtës, ai ka përfaqësuar Qeverinë e Kosovës në Komisionin e Venedikut, ku ka prezantuar dhe mbrojtur projektligje si: Projektligji për Aktet Juridike, Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Projektligji për Tubimet Publike dhe Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike.
Ai është gjithashtu trajner i certifikuar nga IKAP (Instituti i Kosovës për Administratë Publike) për Sistemin për Hartimin e Legjislacionit dhe Vlerësimin Ex-Post të Legjislacionit, dhe ka qenë pjesëmarrës aktiv në konferenca të nivelit të lartë si ajo e Antikorrupsionit (Kore 2020) dhe Konferenca në Parlamentin Italian (2024).
Përveç angazhimeve shtetërore, ai është i pranishëm dhe aktiv në jetën akademike. Aktualisht është Profesor Asistent Doktor në Kolegjin AAB, ku ligjëron lëndët: E Drejta Ndërkombëtare Publike, E Drejta Evropiane, E Drejta Kushtetuese, Ligjet dhe Rregulloret Evropiane të Biznesit, Konkurrenca në Evropë, si dhe module të përfshira në projektet Erasmus+. Ai është gjithashtu bashkautor i manualit “Të Bërët Biznes në Tregun e Bashkimit Evropian”.
Në të kaluarën ka ligjëruar në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Kolegjin ISPE, Kolegjin Humanistika dhe Kolegjin Gjilani, duke mbuluar një gamë të gjerë lëndësh si: E Drejta Ndërkombëtare Private, E Drejta Kontraktuale, E Drejta e Detyrimeve, E Drejta e Procedurës Civile, E Drejta Publike, E Drejta Romake, Historia e Shtetit dhe së Drejtës, E Drejta e Bashkimit Evropian, Globalizimi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Koordinimi i Politikave Ekonomike dhe të Punësimit në BE, Mbrojtja Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe Teoria dhe Praktika Parlamentare.
Në rolin e tij si Drejtor i Programit të Juridikut në Universitetin Publik të Prizrenit, ka udhëhequr ristrukturimin e plotë akademik të programit, ka iniciuar bashkëpunime me institucione ndërkombëtare, dhe ka ndërtuar një platformë të integruar për avancimin e cilësisë në arsim, kërkim shkencor dhe lidhje me tregun e punës.
Prof. Ass. Dr. Mentor Borovci ka dhënë kontribut të qenësishëm në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, forcimin e bazës normative të qeverisjes, rritjen e profesionalizmit në administratën publike, zhvillimin e sistemeve për vlerësim të ndikimit të ligjeve, dhe promovimin e qasjes së bazuar në evidencë në procesin e ligjbërjes.
Është i martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Prishtinë.