Ligjeruese në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike
Valdete Daku ka lindur më 9 tetor 1988 në Gjilan, ku ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 2010, ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin “Shkencat Kompjuterike” (https://uni-pr.edu). Në vitin 2019, ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të po të njëjtit universitet, në drejtimin “Inxhinieri Kompjuterike”, duke fituar titullin Master i Shkencave. Aktualisht është e angazhuar në studimet e doktoratës në Universitetin e Lubljanës, Slloveni, në drejtimin “Shkencat Kompjuterike dhe të Informacionit”.
Karrierën profesionale e ka nisur si Zhvilluese e Softuerit në kompaninë Hemsedal, për të vazhduar më pas angazhimin e saj në Kolegjin AAB, fillimisht si zhvilluese e softuerit dhe më vonë në pozita akademike dhe udhëheqëse. Në këtë institucion ka shërbyer si përgjegjëse e Zyrës për Zhvillim të Softuerit, ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, si dhe për një periudhë si prodekane e këtij fakulteti. Aktualisht është pjesë e rregullt e stafit akademik të Kolegjit AAB, me mbi 12 vite përvojë në mësimdhënie në arsimin e lartë.
Në periudhën 2021–2023, Valdete Daku ka qenë themeluese dhe menaxhere e degës së brandit Axians në Kosovë, ndërsa nga viti 2024 është themeluese dhe udhëheqëse e kompanisë së saj DAX – Digital Application eXperts, e fokusuar në zhvillimin e platformave dixhitale dhe aplikacioneve mobile.
Paralelisht me aktivitetin e saj akademik dhe sipërmarrësi, Valdetja është e angazhuar si eksperte e jashtme në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), ku kontribuon në proceset e vlerësimit dhe validimit të kualifikimeve dhe standardeve profesionale në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit dixhital.
Valdete është e certifikuar në fusha kyçe si: .NET dhe SQL, Transformimi Dixhital, Menaxhimi i Projekteve dhe Scrum, duke kombinuar ekspertizën akademike me përvojën praktike në industrinë ICT. Ajo është e përkushtuar ndaj avancimit të arsimit, inovacionit teknologjik dhe fuqizimit të grave në teknologji në Kosovë dhe më gjerë.