Po vjen edicioni i tretë i Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2022

7 Tetor 2022

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2022, pas një pauze dyvjeçare, po rikthehet me eidcionin e tij të tretë në ambientet moderne të Kolegjit AAB në Prishtinë.
Ky festival i librit, që është nismë e Kolegjit AAB, institucionit më të madh jopublik në rajonin e Evropës Juglindore, tashmë është dëshmuar si storje e suksesit, me dy edicionet e kaluara ku krahas numrit të madh të botuesve pjesëmarrës, janë zhvilluar edhe ngjarje të rëndësishme kulturore dhe janë promovuar dhjetëra tituj.
Tradita gati dy dekadëshe e Kolegjit AAB, fryma moderne dhe përcaktimi i qartë i tij për të qenë lider në zhvillimet e arsimit të lartë në vend dhe më gjerë, janë indikatorë të rëndësishëm se edhe Panairi Vjeshtor i Librit 2022, do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore e cila në fokus do të ketë librin dhe promovimin e tij.
Edicioni i tretë i Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2022, do të mbahet nga data 13 deri më 15 tetor 2022, ndërsa janë mbi 39 shtëpi botuese të cilat e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë edicion.
Pjesë e pandashme e Panairit Vjeshtor të Librit do të jenë edhe ngjarjet kulturore që do të organizohen gjatë kohës sa do të mbahet panairi, si promovime librash, punëtori, orë letrare e takime me shkrimtarë.
E veçanta e Panairit Vjeshtor të Librit edhe në këtë edicion është se do të ofrojë çmime të volitshme për të gjithë studentët që do ta vizitojnë.

Share: