Prishtina International Theater Festival nis rrugëtimin e gjashtë sonte

10 Maj 2022

Sot ka nisur rrugëtimin edicioni i gjashtë i PITF2022, i cili mban emrin e drejtorëshës artistike “Burbuqe Berisha”. Në prani të shumë mediave u mbajt edhe konferenca e parë, panel i të cilës ishin drejtoresha e festivalit të sivjetmë të PITF2022 Doruntina Alshiqi dhe aktori e regjisori i shfaqjes së sotme, Enric Lizano Sans.

Garën e festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrit në Kosovë, e hap shfaqja “I left” nga shteti i Spanjës. I pyetur se si u prit në Kosovë, ekipi spanjoll u shprehën të lumtur duke cilësuar Kosovën si një vend mikpritës pavarësisht situatës politike mes këtyre dy shteteve.

Ndërsa, drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, foli mbi sfidat dhe përgatitjet finale të këtij edicioni.

“Në kuadër të programit garues të këtij edicioni në skenat e dy teatrove do të ngjiten trupa teatrale nga Spanja, Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova. Ndërsa sikur në edicionet e kaluara sërish vlerësimi do të bëhet nga tri juri: juria kryesore, juria e medias dhe juria e studentëve.”

PITF 2022 do të zgjasë deri të hënën më 16 maj, kur do të mbahet edhe ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve.

Share: