Prof. Asoc. Dr. Bashkim Rrahmani zhvillon ligjërata në Universitetin UKEN në Krakovë, Poloni

13 Maj 2026

Në kuadër të aktiviteteve akademike ndërkombëtare dhe angazhimit për shkëmbim të dijes, Prof. Asoc. Dr. Bashkim Rrahmani përmbylli një javë ligjëratash akademike në Universitetin UKEN, ku trajtoi tema me rëndësi të veçantë për procesin e shtetndërtimit dhe zhvillimit politik të Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj vizite akademike, Prof. Rrahmani mbajti një seri ligjëratash dhe diskutimesh me studentë dhe staf akademik, duke trajtuar çështje që lidhen me historikun e Kosovës, pozitën ndërkombëtare të Kosovës gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, luftën në Kosovë, administrimin civil ndërkombëtar, shpalljen e pavarësisë, procesin e njohjeve ndërkombëtare, dialogun Kosovë–Serbi, si dhe zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe perspektivës së integrimeve euro-atlantike të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ligjëratat u pritën me interesim të madh dhe u karakterizuan nga diskutime akademike konstruktive, duke reflektuar rëndësinë e temave të trajtuara në kontekstin bashkëkohor politik dhe ndërkombëtar. Përmes këtij angazhimi u promovua dialogu akademik ndërkombëtar dhe shkëmbimi i përvojave lidhur me proceset e shtetndërtimit, paqes dhe integrimit evropian.

Prof. Rrahmani vlerësoi mikpritjen dhe bashkëpunimin e ofruar nga Universiteti UKEN, duke theksuar rëndësinë e forcimit të partneriteteve akademike dhe zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta ndëruniversitare në të ardhmen.

Ky aktivitet përfaqëson një tjetër dëshmi të angazhimit të Kolegjit AAB për ndërkombëtarizim, bashkëpunim akademik dhe promovim të ekspertizës së stafit të tij në arenën ndërkombëtare.

Share: