Prof. dr. Rolando Marini nga Universitetit i Peruxhias në Itali mbajti ligjëratë për studentët dhe stafin e AAB-së

16 Maj 2019

Profesori nga Universiteti i Peruxhias në Itali, prof.dr. Roland Marini ka qëndruar sot për vizitë në Kolegjin AAB, me ç‘ rast mbajti një ligjëratë speciale me studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe ata të Psikologjisë në temën “Të rinjtë dhe mjediset e mediave të reja”.

Pas kësaj ligjerate, Prof. Marini pati gjithashtu një diskutim me stafin kërkimor të AAB-së për mënyrën dhe specifikat e publikimit në revistat shkencore prestigjioze ndërkombëtare.

Në hapje të ligjëratës, dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Resul Sinani, theksoi se qëllimi i AAB-së është që të mbledhë ekspertë nga universitete botërore për të diskutuar dhe prezantuar çështje të rëndësishme rreth mediave tradicionale e atyre online.

Prof. Marini gjatë ligjëratës potencoi disa pika kryesore për mediat e reja duke thënë se dixhitalizimi i vazhdueshëm ka transformuar rrënjësisht peisazhin medial. Ai gjithashtu shtoi se mediat tradicionale kanë shërbyer si një forum parësor për publikun, mirëpo me ardhjen e mediave online në aspektin e hulumtimeve dhe informacionit të drejtë, ka pasur ndryshime të shumta.

Profesori italian gjithashtu tha se mjedisi mediatik është një prej përparësive kryesore për lirinë e shprehjes në përgjithësi dhe se edukimi publik mund të konsiderohet si një nga detyrat më të rëndësishme për shoqërinë tonë.

Ligjërata u mbyll me sesionin debutues, ku studentët shprehën qëndrimet e tyre por edhe morën përgjigje në pyetjet drejtuar prof. Marinit.

Në anën tjetër, gjatë debatit me stafin akademik, Marini prezantoi disa specifika të cilat merren parasysh nga botuesit e revistave prestigjioze ndërkombëtare, por përmendi edhe disa elemente burokratike që shpesh janë të pranishme në këto revista, sidomos ato që kanë të bëjnë me emrat që botojnë, por edhe pritjet e gjata nga autorët.

Share: