Programi për Karrierë dhe Punësim sot shënon 4 vjetorin e themelimit të saj, i cili për katër vite radhazi është adresa e duhur për studentët e Infermierisë të cilët synojnë që profesionin e tyre ta ushtrojnë në Gjermani dhe të zhvillojnë edhe më tutje elanin e tyre profesional. Mirlinda, Endriti, Elona, Besmirja, Ardiana, Gentiani janë vetëm disa nga emrat prej të cilëve përmes Programit për Karrierë dhe Punësim sot janë duke punuar në klinikat partnere të Programit, dhe janë fytyrë e punës dhe angazhimit të Programit për Karrierë dhe Punësim.
Zyra e Programit për Karrierë dhe Punësim është themeluar me 21 Qershor të vitit 2018, si projekt bashkëpunimi në mes të Kolegjit AAB, klinikave më të mëdha në Gjermani si dhe Institucionit për aftësim të gjuhës gjermane LINGUA.
Programi për Karrierë dhe Punësim për 4 vite radhazi është sinonim i mundësisë dhe një shansi jetësor për studentët e Infermierisë në Kolegjin AAB. Programi si i tillë që nga themelimi e tutje, ofron mundësinë e përgatitjes së gjuhës gjermane pa pagesë për studentët e Infermierisë, ofron një kontratë pune në klinika presitigjioze gjermane që janë partnerë të Programit tonë, barasvlerësimin e titullit akademik nga shteti gjerman, kompletimin dhe përkthimin e gjithë dokumentacionit në gjuhën gjermane dhe mbështetje në procedurat e aplikimit në ambasadën gjermane në Prishtinë për vizë të punës. Ndër të tjera, zyra e Programit ofron orë shtesë në fushën e infermierisë dhe me profesionist shëndetësor të ardhur nga Gjermania, për provim të licencës në Gjermani për të gjithë studentët e Programit.
Përgjatë punës katërvjeqare, Dekanati i Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin AAB në bashkëpunim të ngushtë me partnerët gjerman dhe Lingua-në, kanë hartuar një planprogram të ri për studentët e Fakultetit të Infermierisë, respektivisht për studentë e programit tonë. Në planprogram janë adaptuar lëndë dhe praktika të nevojshme për parapërgatitje sa më të mirë të studentëve tanë, rrjedhimisht për të ju përgjigjur cilësisë së punës dhe profesionalizmit të kërkuar në tregun gjerman.
Zyra e Programit për Karrierë dhe Punësim është e hapur për të gjithë ata studentë të cilët nuk dëshirojnë të humbin kohë dhe të ushtrojnë profesionin e tyre si infermier në Gjermani.