Qendra e Karrierës dhe GIZ DIMAK organizuan trajnim për studentët

19 Nëntor 2021

Qendra e Karrierës e Kolegjit AAB në bashkëpunim me GIZ DIMAK organizoi trajnim për studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Administratës Publike me temat si të shkruajmë CV, letër motivuese dhe si të përgatitemi për një intervistë të suksesshme me punëdhënësin.

Studentët shprehën interesim mjaft të madh për këtë trajnim pasi që ata patën mundësi të njihen dhe të marrin njohuri më shumë lidhur me shkresa të rëndësishme të cilat do ju duhen për të ardhmen e tyre profesionale.

Studenti Burim Krasniqi, theksoi se ky trajnim është shumë efektiv për ta pasi që po kuptojnë më shumë detaje në vija të holla lidhur me CV-në dhe letrën motivuese dhe po njoftohen edhe me shembuj konkret për intervista.

Ndërsa trajnerja Arnisa Aliqkaj u shpreh se ky trajnim është një organizim mjaft i mirë dhe theksoi se “studentët e AAB-së janë shumë aktiv, të interesuar, të informuar dhe shumë bashkëpunues”.

Gjatë trajnimit u prezantuan shembuj të ndryshëm se si duhet të krijohet një CV dhe letër motivuese të cilat janë të nevojshme për aplikim në punë, si dhe u mbajtën simulime të intervistave të punës me studentë.

Në fund u bë edhe një prezantim për Panairin Virtual të Karrierës, i cili do të mbahet më 25 nëntor, e që në fokus kishte hapat që duhet të ndjekin studentët të cilët duan të marrin pjesë.

Vlen të përmendet që këso trajnimesh për studentët do të organizohen në vazhdimësi nga Qendra e Karrierës së AAB-së dhe GIZ DIMAK.

Share: